Matjanët me seancën e së enjtes kanë nisur nga puna për sezonin e ri futbollistik, që do të startojë muajin e ardhshëm. Fillimisht drejtuesit e sportit në këtë qytet prezantuan trajnerin e ri, Samuel Nikaj. Tekniku shkodran është një njohje e vjetër e matjanëve, pasi ka qenë pjesë e kësaj skuadre në edicionin 2020-2021.
Në prononcimin e parë dhënë për “Panorama Sport”, në cilësinë e trajnerit, mes të tjerash Nikaj u shpreh: ”Përgatitjet për edicionin e ri futbollistik sapo kanë nisur. Fazën përgatitore skuadra do ta zhvillojë në qytetin e Burrelit. Për këtë fazë do të hartohet një program i detajuar stërvitor”. Sa i takon ndërtimit të skuadrës për sezonin e ri futbollistik, sipas trajnerit shkodran, organika e Burrelit do të përbëhet nga futbollistë të rinj, ku më tepër përparësi do t’i jepet promovimit të lojtarëve të rinj vendës.
Kalimi i sulmuesit Florenc Farruku te Dinamo gjatë kësaj merkatoje vere, mund të shërbejë si ogur i mirë në transferimin e lojtarëve të tjerë matjan në klube të ndryshme. ”Ndërtimi i skuadrës për edicionin e ri futbollistik do të përbëhet nga djem të rinj. Kjo mund të shërbejë dhe në promovimin e tyre në klube të tjera. Rasti i kalimit të Farrukut te Dinamo le të shërbejë si nxitje për futbollistë të tjerë, si dhe për të arritur objektivat”, mbyll komentin e tij trajneri i njohur shkodran, Samuel Nikaj.
Gjatë fazës përgatitore, skuadra do të zhvillojë disa ndeshje miqësore. Sezonin e kaluar matjanët zhvilluan një kampionat dinjitoz, duke u renditur të katërtit në renditje, ku luajtën edhe në “play off”. Mbetet për të parë ecuria e Burrelit në sezonin 2025-2026.
NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL