Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), çmimet e konsumit janë rritur me 5.1% në tetor 2025 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa inflacioni mujor ka arritur në 0.6%.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit shënon kështu një mesatare më të lartë, duke vështirësuar edhe më tej jetën e qytetarëve.
Ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve po kritikojnë institucionet shtetërore për mungesë të masave konkrete që do të frenonin këtë trend.
Sipas tyre, qeveria po dështon të ndërmarrë politika efektive për stabilizimin e tregut, ndërkohë që kostot e energjisë dhe mallrave bazë po rriten nga muaji në muaj, duke rënduar ndjeshëm jetesën e qytetarëve.
Përfaqësuesi i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë të një programi që mbron interesat e qytetarëve konsumatorë.
Ai tha se ekzekutivi nuk ka treguar aftësi për të stabilizuar tregun dhe për të frenuar rritjen e çmimeve.
Sipas tij, mungesa e një tregu të konsoliduar dhe e një rregullatori të çmimeve e furnizimeve po dëmton drejtpërdrejt qytetarët.
Ai shtoi se rritja e vazhdueshme e çmimeve i konvenon qeverisë.
“Edhe kjo qeveria nuk ka bërë asgjë, s’ka asgjë prej askujt vetëm qytetari po dëmtohet nga rritja e vazhdueshme të çmimit, kjo i konvenon qeverisë se e rritë buxhetin”, ka deklaruar Kaçaniku.
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve, Besart Dreshaj e ka lidhur këtë me mungesën e vendimeve dhe politikave adekuate që mund të frenonin rritjen e çmimeve.
“4.7% ka qenë inflacioni në muajin e kaluar tani është shkuar mbi 5 %, kjo si rezultat i mungesës së vendimeve, politikave adekuate të cilat do të ndikonin në ndaljen e rritjes së inflacionet”, u shpreh ai.
Dreshaj thotë se ka mungesë të veprimeve nga qeveria dhe institucionet përkatëse për të parandaluar rritjen e madhe të çmimeve.
“Kësaj rritje ja ka ndihmuar edhe vendimi i dëmshëm i ZRRe për daljen në tregun të lirë të energjisë dhe është trefishuar kostoja e energjisë. Kemi mungesë të veprimeve të qeverisë e parlamentit dhe institucioneve përkatëse, askush s’po reagon për ta parandaluar rritjen enorme të çmimeve”, ka deklaruar Dreshaj.
Tutje, ai deklaroi se ani pse çmimet janë rritur, të ardhurat kanë mbetur të njëjta.
Njohësi i ekonomisë, Lulzim Beqiri është shprehur lidhur me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve esenciale në Kosovë.
Sipas tij, rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë elektrike, në një kohë kur pagat mbeten të pandryshuara, po ul ndjeshëm fuqinë blerëse të qytetarëve.
“Rritja e inflacionit me 5.1% brenda vitit dhe 0.6% vetëm muajin e fundit, po rëndon seriozisht jetesën e qytetarëve kosovarë. Ushqimet dhe rryma janë bërë shumë më të shtrenjta, ndërsa pagat mbeten të pandryshuara, duke ulur fuqinë blerëse të familjeve, sidomos atyre me të ardhura të ulëta dhe të mesme”, thotë Beqiri.
Beqiri ka kritikuar mosfunksionimin e Kuvendit, joaktivitetin e Autoritetit të Konkurrencës dhe qeverinë në detyrë.
“Situata përkeqësohet edhe më tej nga mosfunksionimi i Kuvendit, joaktiviteti i Autoritetit të Konkurrencës dhe fakti që qeveria është në detyrë, duke lënë qytetarët pa mbrojtje institucionale në një kohë kur çmimet po rriten çdo ditë”, ka deklaruar ai.
Ai thotë se “Nevojiten masa urgjente lidhur me situatën e krijuar: ulje e TVSH-së për produktet bazike, subvencionim për familjet në nevojë, kontroll real të tregut dhe mbështetje për prodhuesit vendorë. Pa këto ndërhyrje, presioni ekonomik vetëm sa do të rritet dhe standardi i jetesës do të vazhdojë të bjerë”./Front Online