34-vjeçari u arrestua në shtetin spanjoll në kuadër të operacionit “Wanted”, teksa fshihej në një vilë luksoze në Almuñécar (Granada), ku policia konstatoi masa të shumta sigurie. Sipas mediave spanjolle, shtëpia ndodhej në një terren të lartë, që i mundësonte atij të monitoronte mjedisin përreth dhe ndërhyrjet e mundshme të policisë.
Drazhi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, duke e dyshuar për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal; “Grup i strukturuar kriminal”; dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e SPAK rezulton se Drazhi është pjesë e një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike në Norvegji dhe Belgjikë. Grupi kriminal i drejtuar nga Elvis Doci dyshohet se ka trafikuar sasi të mëdha kokaine në vende të ndryshme të Europës.
Në kuadër të këtij hetimi, SPAK i ka sekuestruar Drazhit 10 pasuri, mes tyre edhe kompaninë “Majestic Konstruksion”. Shitblerjet e shpeshta të kësaj kompanie, pa përpiluar kontrata para një noteri publik, ngrejnë dyshime se janë kryer me qëllim fshehjen e origjinës së vërtetë të parave, që dyshohet se vijnë nga aktiviteti kriminal i trafikut të kokainës.
Juxhin Drazhi është, ndërkohë, një nga personat e fundit që ka pasur kontakte me Miklovan Danajn në Spanjë, përpara se ky i fundit të zhdukej dhe dyshohet të jetë vrarë.
Ekstradohet Juxhin Drazhi, pjesë e grupit kriminal. Akuzohet për trafik droge dhe lidhje me zhdukjen e Miklovan Danajt
6