Mbyllja shumë herët e kampionatit ka bërë që Elbasani të vazhdojë me stërvitjen edhe gjatë kësaj periudhe, për të mos lejuar lojtarët që të qëndrojnë shumë gjatë pa aktivitet. Mësohet se ato do të vazhdojnë deri në fund të kësaj jave, për të marrë pushimet dhe rinisur më pas stërvitjen në fundin e muajit qershor.
Megjithatë, kjo periudhë post kampionat ka shërbyer edhe për të reflektuar për atë që lanë pas dhe mbi të gjitha për atë që e presin këtë sezon në Superiore. Kuptohet që pas eksperiencës së marrë një vit mes më të mirave, pritshmëritë janë për më shumë tani e tutje.
KAPITENI – Në lidhje me skuadrën e Elbasanit flet për “Panorama Sport” kapiteni Bruno Lulaj. Mbrojtësi është nga ata që nuk preferon ta kthejë kokën pas, por vetëm të shoh përpara. Sipas tij, Elbasani tanimë ka një eksperiencë më shumë që do ta vejë në shërbim. “Mendoj se për një skuadër të sapo ngjitur në Superiore është shumë e rëndësishme që të jetë konkurruese. Të gjithë jemi dakord se Elbasani ishte i tillë, ku përballë të gjitha ekipeve luajti denjësisht, edhe pse në fund nuk shkoi dot në katër vendet e para. Keq na vjen, sepse ishim afër, por nuk mund të harrojmë kampionatin dinjitoz që kemi bërë në 36-të javë. Ne tani duhet të shohim vetëm përpara, me synimin për të bërë më mirë sezonin e ardhshëm”, u shpreh fillimisht 30-vjeçari, i cili arriti të shënojë edhe një gol, pikërisht në ndeshjen e parë të sezonit në barazimin 1-1 ndaj Skënderbeut në transfertë.
ARMA PLUS – Të gjithë sytë janë hedhur tanimë te sezoni i ardhshëm. Sigurisht, në Elbasan pritshmëritë janë gjithnjë të mëdha, duke parë se investimet nuk mungojnë. Kapiteni beson se këtë vit ata kanë një armë më shumë: eksperiencën. “Në Elbasan nuk është nevoja të shpalosësh objektiva, sepse ato do të jenë gjithnjë për të marrë më të mirën, duke ditur edhe mbështetjen që kemi. Mund të them vetëm diçka, që këtë sezon do të kemi një armë më shumë, eksperiencën. Të gjithë jemi më të pjekur dhe në një kampionat si i yni, kuptohet që eksperienca ka ndikimin e saj. Besoj se edhe me mbështetjen e madhe të tifozëve, sezoni i ardhshëm do të jetë më pozitiv”, vijoi më tej Bruno Lulaj.
RIVALITETI – Kapiteni ndalet në fund edhe te rivaliteti që do të jetë këtë sezon, ku e pret më të madh. “Mendoj se do të ketë shumë rivalitet këtë edicion në Superiore, me skuadrat që kanë synime për të qenë në vendet e kreut. Ne nuk na tremb ky rivalitet, por thjesht na motivon më shumë për të dhënë maksimumin tonë. Gjithsesi, mendoj se e gjitha varet nga ne dhe shohim punën tonë, pa u merakosur se çfarë do të bëjnë skuadrat e tjera. Ne jemi të qartë për atë që pritet dhe jemi të përgatitur për të përballuar çdo rival”, mbylli prononcimin e tij për gazetën autori i 32 ndeshjeve këtë edicion me elbasanasit.