Eurodeputeti bullgar Andrey Kovatchev, gjatë një vizite në Korçë së bashku me një delegacion nga Parlamenti Bullgar, vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian dhe shprehu mbështetjen për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Kovatchev deklaroi se javën e ardhshme Parlamenti Evropian pritet të miratojë raportin vjetor të zgjerimit për Shqipërinë, duke përshëndetur angazhimin e forcave politike shqiptare ndaj procesit të integrimit. Ai theksoi se Shqipëria dhe Mali i Zi janë vendet që pritet të jenë pjesë e zgjerimit të ardhshëm të BE-së.
“Jemi shumë të kënaqur që ndodhemi përsëri në Shqipëri, së bashku me kolegët e mi nga Parlamenti Bullgar. Javën e ardhshme në Strasburg, ne do të miratojmë në seancë plenare raportin vjetor të zgjerimit për Shqipërinë. Ne e mirëpresim progresin e bërë nga Shqipëria dhe është shumë mirë që të gjitha partitë shqiptare janë aq të përkushtuara ndaj integrimit evropian.
Ne shpresojmë në Parlamentin Evropian, por edhe kolegët e mi nga Parlamenti Bullgar të cilët gjithashtu mbështesin fuqishëm integrimin evropian të Shqipërisë që zgjerimi i radhës i Bashkimit Evropian të jetë me Shqipërinë dhe Malin e Zi”.
Intervista e Eurodeputetit bullgar Andrey Kovatchev
Pyetjes për protestat masive në Shqipëri. A mund të ndikojnë këto protesta në progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian?
“Ne po monitorojmë shumë nga afër çdo zhvillim. Kjo sigurisht i takon klasës politike në Shqipëri që ta zgjidhë dhe të ndjekë të gjitha standardet, veçanërisht ato ekologjike, me të gjitha investimet që duhen bërë. Ne nuk po ndërhyjmë në këtë pjesë, por sigurisht që do të ketë një tekst në raport-progresin që lidhet me përmbushjen e të gjitha ligjeve dhe standardeve që kanë të bëjnë me ekologjinë, por edhe me zhvillimin rajonal dhe turizmin”.
Ju i njihni shumë mirë efektet e protestave. Ju jeni nga Bullgaria dhe në Bullgari keni pasur shumë protesta. Është gjë e mirë apo e keqe kur njerëzit dalin jashtë?
“Ne jemi shumë të mësuar me këtë. Dua të them se është mirë të dëgjohet zëri i popullit, nëse gjithçka është e qetë dhe paqësore. Dhe kjo është gjithashtu thirrja jonë për të gjitha partitë në pushtet dhe ato të opozitës: të jenë të qeta, të dëgjojnë njëra-tjetrën dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë për qytetarët. Për qytetarët e Shqipërisë, më e mira është që të hyjnë sa më shpejt të jetë e mundur në Bashkimin Evropian dhe të gëzojnë së bashku familjen tonë evropiane, në këtë kohë shumë sfiduese për botën. Kemi shumë probleme gjeopolitike rreth nesh dhe Shqipëria është një aleate shumë e mirë në NATO, dhe tani, shumë shpejt, edhe në Bashkimin Evropian”.
Pyetjes se çfarë duhet të bëjë qeveria jonë në lidhje me këto protesta?
“Të dëgjojë njerëzit dhe të ndjekë të gjithë legjislacionin dhe të gjitha standardet mjedisore – gjë që jam i sigurt se do të jetë edhe në tekstin e Parlamentit Evropian. Por, ne në Parlamentin Evropian nuk do të ndërhyjmë në politikën e brendshme të Shqipërisë dhe bëjmë thirrje për një bashkëpunim të mirë mes partisë në pushtet dhe partive opozitare. Faleminderit”.