Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka miratuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kundër kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, duke konstatuar shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.
Sipas vendimit të datës 3 tetor 2025, PZAP ka vlerësuar se Aliu ka përdorur faqen zyrtare të Komunës së Shtimes në Facebook për qëllime elektorale, duke shpërndarë një postim me sloganin e tij “Vazhdon transformimi – Qemajl Aliu”. Ky veprim është cilësuar si shfrytëzim i burimeve publike për përfitime politike dhe shkelje e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Në bazë të këtij konstatimi, LVV është dënuar me gjobë prej 2,000 eurosh, të cilën duhet ta paguajë brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit. Po ashtu, është urdhëruar heqja e menjëhershme e postimit nga faqja zyrtare e komunës, i publikuar më 29 shtator 2025.
Në arsyetim, PZAP ka theksuar se “asnjë person me pozitë publike të zgjedhur apo të caktuar nuk mund të përdorë zyrat, pasuritë apo resurset e institucionit publik për përfitime elektorale”, duke theksuar se rasti përbën shkelje të nenit 36 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Ky vendim shihet si një nga rastet e para ku një kryetar komune në detyrë dënohet për shfrytëzim të aseteve publike në fushatë, duke ngritur shqetësime për barazinë dhe ndershmërinë e garës zgjedhore në Shtime.