Dy raste të përdorimit të armëve në ambiente familjare janë regjistruar të dielën në Ferizaj, duke alarmuar autoritetet dhe sjellë ndërhyrjen e menjëhershme të Policisë.
Rasti i parë ka ndodhur rreth orës 14:30 në fshatin Greme, ku Policia ka reaguar pas një informate për të shtëna me armë gjatë një dasme. Në vendngjarje, përkatësisht pranë shtëpisë së të dyshuarit M.Q., 40 vjeç, janë gjetur disa gëzhoja, ndërsa në veturën e tij është zbuluar dhe sekuestruar një armë me gaz.
Rasti i dytë është raportuar rreth orës 16:35 në rrugën “Musli Çeliku” në qytetin e Ferizajt. I dyshuari A.B., 21 vjeç, është identifikuar në vendngjarje dhe ka pranuar se kishte shtënë me armë gjatë një feste familjare, duke deklaruar se arma ishte në pronësi të tij.
Sipas Policisë, në të dyja rastet janë iniciuar procedura për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Gjuajtje me armë”. Armët janë sekuestruar ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Policia e Kosovës ka ripërsëritur thirrjen drejtuar qytetarëve që të festojnë pa armë dhe të respektojnë ligjin, për të garantuar sigurinë e të gjithëve