Festa e titullit kampion në rrugët e Liverpool mund të kthehej në një tragjedi, pasi një person futi makinën mes turmës me tifozët e të kuqve duke përplasur disa prej tyre. Për fat asnjë i lënduar rëndë, ndërsa shërbimet e urgjencës shkuan në vendngjarje. Shoferi i mjetit që për pak shkaktoi tragjedinë u vendos në pranga nga policia.
“Aktualisht po merremi me raportime për një RTC (Përplasje Trafiku Rrugor) në qendër të qytetit të Liverpulit. Na kontaktuan pak pas orës 18:00 sot, të hënën, më 26 maj, pas raportimeve se një makinë kishte përplasur me një numër këmbësorësh në ‘Rrugën Uater’. Makina u ndal në vendngjarje dhe një person është ndaluar”, njofton policia.
Pamjet filmike tregojnë kordone policie të vendosura rreth rrugës së mbushur me mbeturina, me një prani të madhe policie, ambulanca dhe një makinë zjarrfikëse në vendngjarje.
Disa dëshmitarë okularë, sipas asaj që raportojnë mediat britanike, kanë deklaruar se drejtuesi i automjetit e ka goditur me qëllim turmën e tifozëve të futbollit në qendër të qytetit këtë mbrëmje.
Videot që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë një makinë që lëviz me zig-zag mes turmës në Dale Street, duke përplasur disa persona përpara se të ndalet.
Agjentët kanë rrethuar të gjithë zonën ku janë lënduar tifozët e skuadrës së futbollit. Kryeministri Keir Starmer dhe ministrja e Brendshme Yvette Cooper janë në kontakt me autoritetet dhe po marrin informacion të përditësuar për zhvillimet.
“Skenat që vijnë nga Liverpool janë tronditëse”, deklaron Starmer në një komunikatë të shpërndarë nga Downing Street. “Shpreh afërsinë time me të plagosurit dhe me të gjithë ata që janë përfshirë. Dua të falënderoj policinë dhe ekipet e ndihmës së shpejtë për ndërhyrjen e tyre të menjëhershme në këtë ngjarje shokuese. Jam në kontakt me autoritetet dhe u bëj thirrje të gjithëve të lejojnë policinë dhe hetuesit të bëjnë punën e tyre.”
Një dëshmitare okularë, Natasha Rinaldi, që jeton në rrugën e qendrës së Liverpool-it ku ndodhi incidenti, i tha Sky News: “Njerëzit dukeshin të dëshpëruar. Pamë nga dritarja dhe pamë që makina kishte përplasur disa persona. Atëherë njerëzit filluan të vraponin drejt makinës për të ndaluar drejtuesin dhe u përpoqën të thyenin automjetin. Policia bëri ç’është e mundur për të ndaluar dhe larguar turmën.”