Nga kjo e enjte (18 dhjetor) e deri në prag të Krishtlindjes, tragetet do të operojnë me “dopjo corsa”, duke u fokusuar kryesisht në hyrjen e pasagjerëve në port.
Festat e fundvitit përkojnë me periudhën kur shumë emigrantë rikthehen në atdhe për të kaluar pushimet pranë familjeve të tyre.
Por përpos shqiptarëve ka dhe shumë turistë të huaj që vijnë të kalojnë pushimet dimërore në vendin tonë. Në portin e Durrësit gjejmë një çift nga Skocia të cilët vijnë për herë të dytë në vendin tonë.
“Kemi qenë edhe para tetë vitesh dhe na ka pëlqyer. Para Krishtlindjeve do të qëndrojmë katër ditë në Berat, ndërsa Krishtlindjet do t’i kalojmë në Gjirokastër. Me pas do vizitojme dhe Greqinë.
Ushqimi është i mrekullueshëm, duhet ta them. E kam provuar kur isha heren e parë dhe kaluam shumë mirë. Tani jam kurioze të shoh se çfarë ndryshimesh janë bërë. Po mendojmë të ngjitemi edhe në kodra (hiking), sepse pamjet janë mahnitëse”.
Sipas kapitenit të Portit të Durrësit, Tauland Allka, për të përballuar fluksin, Policia Kufitare do të punojë me 24 sportele për kontrollin e dokumenteve.
“Sot ka filluar sistemi me udhetime te dyfishta dopiocorsa, jane 4 dite intensive qe Autoriteti portual Durres punon me 24 sportele, jane marre te gjitha masat per mbarvajtjen e fluksit. Presim nje rritje prej 10%, krahasuar me vitin e kaluar. Kryesisht jane bashkeatdhetare, te cilet jetojne ne Evrope qe kane zgjedhur te kalojne festat ne Shqiperi dhe Kosove”, shprehet kapiteni.
Lundrime të dyfishta do të ketë edhe në ditët e para të vitit të ri, por këtë herë fluksi do të jetë më i madh në dalje.