Në Teatrin e Operës dhe Baletit gjithçka po ecën me ritëm të shpejtë ndërsa na ndajnë edhe pak ditë nga Festivali i Pranverës në RTSH.
Skenografia po merr jetë nëpërmjet skenografit Albi Çifligu i cili po kujdeset në detaje për çdo element vizual që performancat e artistëve gjatë 2 netëve të festivalit të jenë të kuruara.
“Falënderoj RTSh që më dha mundësinë për të bërë Festivalin e Pranverës. Është një punë intensive dhe shumë e madhe, dhe pritshmëritë janë shumë të mëdha. Mosha ime ka pak nostalgji dhe emocionet janë më të mëdha”, u shpreh skenografi.
Skenografia do t’i përshtatet gjithashtu rikthimit të Festivalit të Pranverës në RTSH pas 23 vitesh dhe një vend i veçantë në këtë skenografi do t’i jepet Orkestrës Simfonike të RTSH.
“Kemi ruajtur vetëm linjat, çdo linjë që ka qenë dikur në Festivalin e pranverës ne jemi përpjekur për ta digjitalizuar dhe për ta futur në kohë moderne dhe për ti dhënë një spunto edhe brezave të festivale të tjera që të vazhdojnë traditën. Do të mbizotëroj Orkestra e cila do tw jetw dhe zemra e skenografisë”, tha Çifligu.