FIFA ka sanksionuar Serbinë me mbyllje të pjesshme të stadiumit kur ajo të presë Anglinë në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2026 muajin e ardhshëm, pas sjelljes raciste nga disa prej tifozëve të tyre gjatë fitores 3-0 në shtëpi ndaj Andorrës në qershor.
Pas Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), edhe Federata Serbe e Futbollit (FSS), ka njoftuar në lidhje me dënimin e marrë së fundmi nga FIFA.
Serbia, e cila u gjobit gjithashtu me 50,000 franga zvicerane, duhet të mbajë të mbyllura të paktën 15% të kapacitetit (8.100 vende) pas portave në stadiumin Rajko Mitic të Beogradit kur Anglia të vizitojë për ndeshjen e Grupit K më 9 shtator.
“Federata e Futbollit e Serbisë edhe një herë u bën thirrje tifozëve… të kujtojnë se FSS është nën monitorim të veçantë nga organet disiplinore të FIFA-s dhe UEFA-s dhe se ka tolerancë zero për shkeljet e rregulloreve dhe ligjeve”, tha FSS në një postim në rrjetin social X.
Serbia u godit me mbyllje të pjesshme të stadiumeve nga UEFA vitin e kaluar për shkak të sjelljes së tifozëve gjatë Ligës së Kombeve.
Sipas njoftimit zyrtar, nëse situata nuk përmirësohet, penalizime të ngjashme mund të zbatohen edhe për sfidën e ardhshme ndaj Kombëtares së Shqipërisë.
Kjo do të thotë se dueli mes Serbisë dhe Shqipërisë mund të zhvillohet me një numër të kufizuar tifozësh ose edhe me tribunat plotësisht të boshatisura.