Sot në hotelin “Holiday Inn” (Shkup) po mbahet edicioni i 21-të i Konferencës Ndërkombëtare e-Shoqëri.Mk. Këtë vit, Konferenca i kushtohet temës “Integriteti në Thelb të Transformimit Digjital”, duke hulumtuar se si përparimi i shpejtë teknologjik po i riformëson qëndrueshmërinë demokratike, të drejtat e njeriut dhe besimin shoqëror në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, transmeton Portalb.mk.
“Transformimi digjital sjell një potencial të madh për inovacion, efikasitet dhe gjithëpërfshirje, por gjithashtu i ekspozon cenueshmëritë ndaj manipulimeve, kërcënimeve kibernetike dhe përdorimit joetik të teknologjisë. Sigurimi i integritetit si bazë e këtij transformimi është çelësi për ndërtimin e sistemeve të sigurta, transparente dhe të përgjegjshme që i mbrojnë qytetarët, duke mundësuar njëkohësisht përparimin. Sfida qëndron në gjetjen e ekuilibrit të duhur midis shfrytëzimit të përfitimeve të transformimit digjital dhe mbrojtjes nga rreziqet që dëmtojnë stabilitetin, barazinë dhe dinjitetin njerëzor”, thuhet në njoftim.
Pjesëmarrës në konferencë janë Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, ambasadori francez, Christophe Le Rigoleur, Ben Nupnau, zëvendës shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Manon Janssen, zëvendës Ambasador i Mbretërisë së Holandës në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe personalitete të tjera.
Në kuadër të konferencës e-Shoqëri do të ndahet çmimi “Ilija Zhupanoski”.
Çmimi në fjalë ndahet për kontribute të shquara në gazetarinë profesionale, etikën e medias dhe raportimin me interes publik në Maqedoni. Kjo ceremoni nderon individët dhe mediat që promovojnë integritetin, transparencën dhe llogaridhënien në sferën e medias.
Ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimeve do të organizohet në sesionin përmbyllës të konferencës, ndërsa ngjarja do të udhëhiqet nga Elida Zylbeari dhe Biljana Georgievska, drejtore ekzekutive e Këshillit të Etikës së Medias të Maqedonisë.