Matrikulluan 120 bagëti të imëta dhe gjedhë, të kontrabanduara, arrestohen në flagrancë 4 veterinerë.
Shpallet në kërkim 39-vjeçari që dyshohet se ka kontrabanduar bagëtitë dhe gjedhët, nga Greqia.
Procedohen penalisht 3 shtetas që mbajtur në stallat e tyre, bagëtitë dhe gjedhët.
Të gjitha këto veprime janë kryer në shkelje të urdhrit të ministrit së Bujqësisë, për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së kafshëve të imta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Matrikulli”, si rezultat i të cilit:
-u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit B. M., 64 vjeç, banues në Durrës, K. A., 57 vjeç, banues në Korçë, dhe D. K., 64 vjeç, banues në Maliq, punonjës (veterinerë) të Autoritetit Kombëtar Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve, dega Devoll;
-u arrestua në flagrancë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, shtetasi E. L., 39 vjeç, banues në Devoll, punonjës (veteriner) i Autoritetit Kombëtar Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve, dega Devoll;
-u shpall në kërkim shtetasi G. M., 39 vjeç, banues në Devoll, i dyshuar për veprat penale “Kondrabanda me mallra të tjera”, “Ruajtja dhe depozitimi i mallrave kondrabandë”, “Tregtimi apo transportimi i mallrave kondrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;
– u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. M., 40 vjeç, banues në fshatin Voskop, E. Z., 48 vjeç, banues në Bilisht, dhe R. Zh., 57 vjeç, banues në fshatin Tren, për veprën penale “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi i shpallur në kërkim G. M., ka kontrabanduar nga Greqia, 100 bagëti të imta dhe 20 gjedhë. Më pas, dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit e arrestuar (veterinerët) i kanë matrikulluar bagëtitë dhe gjedhët, me matrikullat që kanë marrë nga zyra e veterinarisë në Devoll. 3 shtetasit e proceduar dyshohet se kanë mbajtur në stallat e tyre, bagëtitë dhe gjedhët e kontrabanduara nga 39-vjeçari.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Matrikulli”.
14