U kap duke transportuar me automjet 23 kg e 65 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, që dyshohet se do ta trafikonte drejt Kosovës, arrestohet 43-vjeçari.
Sekuestrohet lënda narkotike dhe automjeti.
Komisariati i Policisë Krujë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të veprimeve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Transporter”.
Si rezultat i të cilit, vunë në pranga shtetasin kosovar L. Ç., 43 vjeç, banues në Kosovë.
Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Ura e Stafukës”, fshati Larushk, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin tip “Skoda” që drejtohej nga 43-vjeçari, në brendësi të të cilit, gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan disa pako me 23 kg e 65 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, që dyshohet se do të trafikohej në drejtim të Kosovës.
Lënda narkotike dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Transporter”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
13