Një skemë e prezantuar në emisionin “Debat Plus” ka pasqyruar lidhjet e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të KOSTT me qeveritarë, e njerëz të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje dhe partitë tjera që bashkëqeverisin prej vitesh.
Sipas të dhënave të prezantuara në emisionin e RTV Dukagjinit, ku është denoncuar një aferë e madhe korruptive në sektorin e energjisë elektrike, anëtarët e KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu) dalin të lidhur me pushtetin aktual.
Në mesin e të gjithë këtyre anëtarëve të Bordit të KOSTT-it është Sead Mujovi, që në emisionin “Debat Plus” u tha se është i afërt me zëvendëskryeministren e Kosovës, Emilia Rexhepi, kryetare e partisë boshnjake, NDS.
Por, bordi i KOSTT nuk është vendi i vetëm i punës për Mujovin.
Paparaci mëson se dy vite pas zgjedhjes së tij nga Kuvendi anëtar i bordit të KOSTT-it, Mujovi ka arritur të sigurojë vendin e dytë të punës.
Nga viti 2024, ai është zyrtar në një institucion të rëndësishëm, në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrolle Financiare në KQZ e drejtuar nga Besnik Buzhala për të cilin mediat kanë raportuar se është njeri i afërt me deputetin e Vetëvendosjes, Adnan Rrustemin.
Kjo Zyre sipas ligjit për Financa të Subjekteve Politike të vitit 2022 duhet të jetë tërësisht e pavarur në veprimtarinë e saj.
Për të siguruar pavarësinë e kësaj Zyre, anëtarëve të KQZ-së që vijnë si përfaqësues të subjekteve politike me këtë ligj u është hequr e drejta për të kontrolluar funksionimin e saj kur bëhet fjalët për financat e partive politike.
“Zyra në ushtrimin e funksioneve të parapara me këtë ligj gëzon pavarësi funksionale”, thuhet në këtë ligj. Ky ligj tregon se kush mund të punësohet në këtë Zyre që kontrollon financat e partive politike.
“Zyra të pajiset me burimet e nevojshme njerëzore për kryerjen e kompetencave të parashikuara nga legjislacioni në fuqi. Personeli i Zyrës përbëhet nga të paktën dhjetë (10) punonjës profesionalë, të cilët nuk kanë qenë anëtarë të një subjekti politik, nuk i kanë dhuruar një subjekti politik dhe nuk kanë qenë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në ndonjë marrëdhënie kontraktuale me një subjekt politik tre (3) vjet para paraqitjes së aplikimit të tyre”, thuhet më tej në ligj.
Në deklarimin e pasurisë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Mujovi ka deklaruar mbajtjen e dy pozitave të punës: në KQZ dhe në Bordin e Drejtorëve të KOSTT-it.
Në formularin e deklarimit të pasurisë, ai ka shkruar se në KQZ ushtron funksionin e “eskpertit për kontroll financiar” në kuadër të Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike.
Këtë funksion, ai ka deklaruar se e ushtron nga 16 shtatori i vitit 2024, ndërsa funksionin në KOSST ka thënë se e ushtron nga janari i vitit 2022.