Në kuadër të sezonit turistik veror dhe fluksit të shtuar të shtetasve dhe mjeteve nga Kosova, u firmos Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës, për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Memorandumi u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, si një tjetër dëshmi e bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet dy institucioneve.
Shërbimet e përbashkëta do të kenë si objektiva:
Parandalimin e shkeljeve dhe aksidenteve rrugore;
Menaxhimin e trafikut në akset kryesore që lidhin të dy shtetet;
Shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e policimit rrugor.
Drejtori Proda vlerësoi praninë e kolegëve nga Kosova si një ndihmë të çmuar dhe një simbol krenarie për harmoninë dhe koordinimin mes dy policive, jo vetëm në fushën e sigurisë rrugore, por edhe në luftën e përbashkët kundër krimit dhe paligjshmërisë.
Nga ana e tij, Kolonel Hoxha u shpreh se efektivët e Policisë së Kosovës janë të nderuar për mundësinë që t’u shërbejnë qytetarëve krah kolegëve të Policisë shqiptare, dhe se do të angazhohen maksimalisht për përmbushjen e objektivave të këtij memorandumi.
Shërbimet e përbashkëta nisin nga data 1 korrik 2025.
Firmoset Memorandumi i Bashkëpunimit për shërbime të përbashkëta të policimit rrugor në Shqipëri, gjatë sezonit turistik 2025
4