Referendumet në Itali për lehtësimin e ligjit mbi përfitimin e shtetësisë dhe për ashpërsimin e normave për mbrojtjen e punës janë shpallur të pavlefshme për shkak të pjesëmarrjes së ulët në votime. Ky rezultat përbën një dështim për opozitën e ndarë të qendrës së majtë dhe për sindikatat që i kanë mbështetur, sipas të dhënave të publikuara të hënën nga agjencia e sondazheve YouTrend, raporton Reuters.
Të dhënat zyrtare nga rreth gjysma e qendrave të votimit treguan se pak më pak se 30% e votuesve me të drejtë vote dolën për të votuar në fund të dy ditëve të zgjedhjeve, shumë më poshtë se 50% plus një – përqindja e nevojshme që referendumi të ishte juridikisht i detyrueshëm.
Rezultati përbën një goditje për koalicionin e partive opozitare të qendrës së majtë, grupet e shoqërisë civile dhe sindikatën CGIL, që kanë mbështetur pyetjet në referendum, dhe një fitore për kryeministren Giorgia Meloni, e cila ishte fort kundër tyre. Meloni dhe aleatët e saj të djathtë i nxitën mbështetësit e tyre të bojkotonin votimin. Kryeministrja vizitoi të dielën një qendër votimi në Romë, por nuk votoi, një taktikë që e kishte paralajmëruar më parë.
Forcat opozitare kishin shpresuar se përqendrimi në çështjet e të drejtave të punëtorëve dhe problemet demografike të Italisë do t’i ndihmonte të përballeshin me Melonin – gjë që nuk kanë arritur ta bëjnë që nga ardhja e saj në pushtet në vitin 2022.
“Qeveria del më e fortë nga ky referendum”
“Opozita donte të kthente referendumin në një votë kundër qeverisë Meloni. Përgjigjja është shumë e qartë: qeveria del më e fortë nga ky referendum dhe opozita më e dobët”, deklaroi Giovanbattista Fazzolari, zëvendësministër i kabinetit dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Melonit.
Një nga pesë referendumet kishte për qëllim të ulte periudhën e qëndrimit të nevojshme për të kërkuar shtetësinë italiane nëpërmjet natyralizimit – nga 10 vjet në 5 vjet – çka, sipas organizatorëve, do të ndikonte rreth 2.5 milionë persona. Në një vend që po përballet me një rënie të ndjeshme të lindshmërisë, disa ekonomistë e konsiderojnë të nevojshme tërheqjen e më shumë të huajve për të gjallëruar një ekonomi të dobët, ndërsa grupet për të drejtat e njeriut bënë fushatë për një votë “Po”, në mbështetje të integrimit të punëtorëve emigrantë.
Katër pyetjet e tjera të referendumit kishin të bënin me kthimin prapa të liberalizimit të tregut të punës të miratuar një dekadë më parë dhe me zgjerimin e përgjegjësisë ligjore për aksidentet në punë për kompanitë që përdorin kontraktorë dhe nënkontraktorë.
Pjesëmarrje më e madhe në veri
“Qoftë pak mbi 30%, apo pak nën 30%, kjo është një shifër e ulët, nën pritshmëritë dhe objektivat e vendosura nga organizatorët,” deklaroi Lorenzo Pregliasco nga YouTrend për kanalin italian të lajmeve SkyTG24.
Sipas një analize të të dhënave të kryer të dielën mbrëma nga agjencia YouTrend, pjesëmarrja në votime ishte më e lartë në rajonet më të pasura të veriut dhe qendrës, si dhe në qytetet e mëdha, ndërsa më e ulët në jugun më pak të zhvilluar. Po ashtu, u vu re pjesëmarrje më e madhe në zonat ku partitë e majta kishin pasur rezultate të mira në zgjedhjet e përgjithshme të fundit dhe në zgjedhjet evropiane të vitit 2024.