5
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, gjatë prezantimit të raportit SOCTA 2026, theksoi se ky dokument përbën instrumentin kryesor strategjik që do të orientojë luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda në vitet e ardhshme. Ai nënvizoi se krimi po bëhet gjithnjë e më i sofistikuar dhe po shfrytëzon teknologjinë, globalizimin dhe zhvillimet ekonomike, ndaj analiza e realizuar sipas metodologjisë së Europolit ndihmon në identifikimin e kërcënimeve aktuale dhe parashikimin e evolucionit të tyre. Një vëmendje e veçantë në raport i është kushtuar edhe krimeve mjedisore, të cilat po konsiderohen një rrezik në rritje për zhvillimin e qëndrueshëm dhe sigurinë e vendit.
Në fjalën e tij, Hita theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, hetimeve të përbashkëta dhe investimit në kapitalin njerëzor për të përballuar sfidat e krimit modern. Ai vlerësoi certifikimin e specialistëve të Policisë së Shtetit në kuadër të projektit EU4LAW Enforcement, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve profesionale. Në përfundim, ai riafirmoi angazhimin e Policisë së Shtetit për të garantuar rendin, sigurinë publike dhe mbrojtjen e qytetarëve, duke theksuar se suksesi matet me besimin e publikut dhe sigurinë që ndjejnë qytetarët dhe vizitorët në Shqipëri.
“
Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, në aktivitetin për prezantimin e Vlerësimit të Kërcënimit nga Krimi i Organizuar dhe Krimet e Rënda (SOCTA) 2026
Sot jemi këtu jo për të prezantuar thjesht një raport, por për të prezantuar instrumentin strategjik që do të orientojë veprimin tonë kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda në vitet në vijim.
Në realitetin e sotëm të sigurisë, krimi është gjithnjë e më i organizuar, më i sofistikuar dhe më i aftë të shfrytëzojë teknologjinë, globalizimin dhe hapësirat që krijojnë zhvillimet e shpejta ekonomike e shoqërore.
Raporti “Vlerësimi i Kërcënimit nga Krimi i Organizuar dhe Krimet e Rënda – SOCTA 2026” përfaqëson dokumentin tonë më të rëndësishëm strategjik dhe analitik.
Përmes metodologjisë së standardizuar të Europolit, ne kemi analizuar grupet kriminale, aktivitetet e tyre, faktorët lehtësues dhe dëmin që ato synojnë t’i shkaktojnë shoqërisë sonë. Ky proces na jep një avantazh të rëndësishëm, të kuptojmë jo vetëm se ku ndodhet kërcënimi sot, por edhe si mund të evoluojë ai nesër.
Një risi e rëndësishme e këtij raporti është analiza e thelluar e krimeve mjedisore. Këto fenomene, edhe pse shpesh më pak të dukshme se format tradicionale të kriminalitetit, përbëjnë një kërcënim në rritje për zhvillimin e qëndrueshëm, ekonominë dhe sigurinë afatgjatë të vendit.
Përballë një krimi që vepron përtej kufijve, përgjigjja jonë do të jetë bashkëpunimi pa kufi. Hetimet e përbashkëta dhe koordinimi operacional mbeten elementë kyç të suksesit tonë.
Investimi në dije dhe në kapital njerëzor është investimi më i sigurt për të ardhmen e luftës kundër krimit të organizuar.
Certifikimi i specialistëve tanë nga projekti EU4LAW Enforcement është dëshmi konkrete se po ndërtojmë një brez të ri profesionistësh që do të forcojnë më tej aftësinë e Policisë së Shtetit për t’u përballur me sfidat e së ardhmes.
Në mbyllje, dua të theksoj se Policia e Shtetit e ka të qartë drejtimin e saj, një polici moderne, profesionale, e orientuar nga inteligjenca dhe e mbështetur në partneritete të forta kombëtare dhe ndërkombëtare.
Për ne, suksesi nuk matet vetëm me statistika apo operacione të suksesshme. Ai matet me sigurinë që ndjen çdo qytetar, me besimin që publiku ka tek institucionet dhe me dobësimin e çdo strukture kriminale që cenon rendin, sigurinë dhe zhvillimin e vendit.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur në mbrojtje të ligjit, të sigurisë publike dhe të jetës e pronës së qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, si dhe sigurinë e miliona vizitorëve e turistëve që çdo vit zgjedhin vendin tonë si destinacion turistik.
Ju faleminderit!”