Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shpallur sot tri vendime shkarkimi, duke shtuar ndjeshëm ritmin e gjykimeve, ndërkohë që gjendet para detyrimit kushtetues të përfundimit të shqyrtimit të çështjeve para qershorit të vitit të ardhshëm.
KPA ka vendosur unanimisht lënien në fuqi të vendimit të shkarkimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ish -gjyqtaren e Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea, e cila ishte deklaruar fajtore për veprën penale “korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” dhe ishte dënuar me 4 vjet burgim.
KPA e vlerësoi të drejtë vendimin e KPK-së që e pati shkarkuar Andrean për shkak të këtij dënimi që sipas shkallës së parë të Vettin-ut, cenonte besimin e publikut te sistemi i drejtësisë. Procesi i zhvilluar në KPA ekspozoi edhe mosveprimin e institucioneve si ILD e KLGJ, të cilat nuk kanë ndërmarrë asnjë procedurë për shkarkimin e saj.
‘Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 660, datë 16.05.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Majlinda Andrea’, thuhet në njoftim.
KPA vendosi gjithashtu ndryshimin e vendimit të KPK-së për prokuroren e Vlorës Flora Çela, që e pati konfirmuar në detyrë pasi kryerjes së një viti trajnimi në Shkollën e Magjistraturës. Me shumicë votash, trupi gjykues i KPA-së vlerësoi se Çela kishte treguar mangësi serioze në disa raste hetimit gjatë kryerjes së detyrës, të cilat nuk mund të konsideroheshin të korrigjuara nga trajnimi në Shkollën e Magjistraturës.
Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, gjatë seancave të zhvilluara në KPA kërkoi shkarkimin e prokurores së Vlorës për dështime të përsëritura në hetimin e çështjeve, veçanërisht për mënyrën e hetimit të kryer pas kapjes së 16 tonë cannabis sattiva në vitin 2017.
Edhe për prokurorin e Fierit Hysen Ajasllari u vendos sot nxjerrja përfundimtare nga sistemi i drejtësisë, pasi KPA vendosi në mënyrë unanime lënien në fuqi të vendimit të shkarkimit të marrë nga KPK, më 3 mars 2023, për shkak të problemeve të tij në kriterin e pasurisë.