“Shqipëria vazhdon të shquhet si një prej ekonomive në rritjen më të shpejtë në Evropë, parashikojmë rritje të PBB me 3.6% në 2026, nxitur nga kërkesa e fuqisë e brendshme dhe sektori i fortë i turizmit”, u shpreh Shefja e Misionit të FMN, Anke Weber.

Ministri i Financave Petrit Malaj thotë se ekonomia shqiptare ka vijuar trendin pozitiv edhe 6 muajt e parë të vitit, pavarësisht sfidave, duke u rritur me 3.6%. Ai theksoi se parashikimi për 2025 mbetet optimist me rritje 3.9%

 

“Vitet e fundit kanë qenë sprovë për ekonominë tonë, por ka dëshmuar se ka kapacitet për tu përshtatur dhe për të mbrojtur trajektoren e zhvillimit ekonomik, institucionet tona në aspektin fiskal dhe monetar kanë treguar maturitet në hartimin e politikave që kanë ndihmuar në minimizimin e kostove të ardhura nga goditjet e jashtme. Në 6 mujorin e  parë të 2025, ekonomia shqiptare është zgjeruar me 3.65%. ka qenë rritje gjithëpërfshirëse duke prekur të gjithë sektorët e ekonomisë. Parashikimi për 2025 mbetet optimist me rritje 3.9%. Projektet në infrastrukturë dhe energji do kenë ndikim pozitiv në rritjen ekonomike në vendin tonë”, tha Malaj.

 

Por kritika Fondi Monetar Ndërkombëtar ka për ‘Paqen Fiskale’, nismë e qeverisë që pritet të nisë zbatimin nga viti 2026, ku borxhet e krijuara deri në fund të 2014-ës fshihen, dhe për detyrimet e tjera të bizneseve më të reja lehtësohen gjobat e kamatat.

“Kemi frikë që disa prej elementëve të projekt propozimit mund të minojnë progresin e Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë disa risqe për përmbushjen dhe për drejtësinë”, tha Weber.

Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandon po ashtu të investohet më shumë në kapitalin njerëzor që të frenohet emigracioni.

“Do duhen reforma gjithëpërfshirëse në kapitalin njerëzor, sundimin e ligjit dhe rregullat e biznesit për të çuar para axhendën e integrimit”, tha Weber.

Sa i takon koncesioneve, me 3 kontrata në shëndetësi që  janë në përfundim të afatit të tyre, ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi në konferencë se nuk ka ende asnjë kërkesë për zgjatje të afatit nga Ministria e Shëndetësisë përtej 2026-s.

 

 

A do zgjatet afati për koncesionet në Shëndetësi? Ministri Malaj për Report Tv: Nuk kemi kërkesë nga ministritë e linjës

1763120093_petritmalaj.jpg
Ministri Petrit Malaj u pyet nëse do të zgjatet afati për koncesionet në Shëndetësi. Afati i tyre është deri në vitin 2026, ndërsa ministri Malaj i tha gazetares Eliza Gjediku se nuk ka asnjë kërkesë nga ministritë e linjës për zgjatje të afatit.

 

“Nuk kemi kërkesë na ministritë e linjës që do ketë zgjatje të koncesioneve ekzistuese”, tha Malaj.

Në pr.buxhetin 2026, kontrata koncesionare e check-up-it për popullsinë 35–70 vjeç parashikohet të financohet me 699.8 milionë lekë (rreth 7 milionë euro), nga 876 milionë lekë (rreth 8.7 milionë euro) në 2025.

Sterilizimi do të financohet me 500 milionë lekë (rreth 5 milionë euro) në vitin 2026, nga 1.9 miliardë lekë (rreth 19 milionë euro) në 2025. Ndërsa kontrata e dializës parashikohet të marrë 815 milionë lekë (rreth 8.1 milionë euro) në 2026, nga 960 milionë lekë (rreth 9.6 milionë euro) në 2025.

 

Ministri i Malaj shpjegon pse u vendos të jepen bonuse mujore për pensionistët

 
Ministri i Financave, Petrit Malaj ka shpjeguar për Report Tv se përse u vendos që të jepen bonuse mujore për pensionistët. Malaj tha për gazetaren Eliza Gjediku se qeveria shqiptare është në proces të ristrukturimit të skemës së pensioneve, me synimin që ajo të bëhet më e qëndrueshme dhe të garantojë pensione më të larta në vitet e ardhshme.

 

Sipas tij, ndërsa po kryhet vlerësimi i plotë i skemës aktuale dhe përpara se të paraqiten propozimet konkrete për ndryshimet, është vendosur që pensionistët të mbështeten menjëherë me një skemë bonusi të përmuajshëm.

Ai sqaroi se bonusi i përmuajshëm do të jetë proporcional me kontributet që pensionistët kanë paguar ndër vite. Kjo do të thotë se pensionistët që kanë kontribuar më shumë në skemë do të marrin të ardhura më të larta. Ndërsa ata me kontribute më të ulëta do të përfitojnë më pak.

“Qeveria shqiptare është duke ndërmarrë një ristrukturim të skemës së pensioneve, në mënyrë që ta bëjmë më të qëndrueshme, do garantojë pensione më të larta për pensionistët. Përgjatë vlerësimit që po i bëjmë skemës dhe ku do vijmë me propozime konkrete, kemi menduar që të vijohet me skemën e bonuseve, ta quajmë të ardhura mbi pensionet, që do paguhet çdo muaj dhe do shoqërohet dhe me ndryshimet strukturore që do i ti bëjmë skemës së pensioneve.

Është menduar që e ardhura shtesë që u jepet pensionistëve të jetë në linjë me kontributin që kanë patur pensionistët ndër vite. Ata që kanë kontribuuar më shumë, do marrin të ardhura më shumë, ata që kanë pas kontribut më të ulët do marrin të ardhura më të ulët se grupi tjetër”, tha Malaj për Report Tv.

 

Paqja fiskale, FMN për Report Tv: Mund të minojë punën e bërë me drejtësinë dhe administrimin e tatimeve 

 
Anke Weber, drejtuesja e misionit të FMN-së në Tiranë komentoi paqen fiskale. Weber tha se qeveria ka bërë përparim në forcimin administrativ të të ardhurave. Por, ajo paralajmëroi se disa prej elementëve të propozuar në paqen fiskale mund të rrezikojnë arritjet e deritanishme me drejtësinë dhe administrimin e tatimeve

 

“Kemi parë draftin e fundit të paketës, vëmë re që qeveria ka bërë përparim gjatë viteve të fundit në forcimin administrim të të ardhurave në përputhje me këshillat tona. Kemi frikë që disa prej elementëve të projektpropozimit mund të minojnë progresin e Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë disa risqe për përmbushjen dhe për drejtësinë”, tha Weber për Report Tv.

 

FMN: Shqipëria një nga vendet më rritjen më të lartë ekonomike në Europë! Të rriten të ardhurat tatimore, çoni para reformën për taksën e pronës

 

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se Shqipëria është nëj ndër vendet me rritjen më të lartë ekonomike në Europë. Anke Weber, drejtuesja e misionit të FMN-së në Tiranë nënvizoi se FMN parashikon një rritje të PBB prej 3.6% në vitin 2026, e nxitur nga shpenzimet e qëndrueshme të konsumatorëve, investimet dhe turizmi, sektor që mbetet një nga motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik.

 

FMN vlerëson progresin fiskal, por inkurajon rritjen e të ardhurave tatimore dhe përparimin e reformës së taksës së pronës, si dy shtylla të rëndësishme për forcimin e financave publike.

“Shqipëria vazhdon të shquhet si një prej ekonomive në rritjen më të shpejtë në Europë, parashikojmë rritje të PBB me 3.6% në 2026, nxitur nga kërkesa e fuqisë e brendshme dhe sektori i fortë i turizmit. Politikat fiskale kanë ulur borxhin publik, ndërsa politika monetare ka ndihmuar që inflacioni të ulet nën objektiv. Norma e papunësisë ka arritur nivelet të ulëta historike, por mbeten disa sfida.  FMN inkurajon të rriten të ardhurat tatimore dhe çuarjen përpara të taksës së pronave.

Ne jemi të vetëdijshëm për rreziqet që kërkojnë vëmendje nga afër. Është parë rritje e fortë në huadhënien bankare, edhe pjesa e valutës duhet të menaxhohet me kujdes. Duhet të ketë bashkëpunim mes institucioneve dhe një qeverie të fortë, do të mbeten thelbësore”, tha Weber.

FMN vuri në dukje se produktiviteti mbetet i ulët, ndërsa tregu i punës po ndikohet nga emigrimi. Për të mbështetur zhvillimin afatgjatë, Weber tha se duhen reforma gjithëpërfshirëse në kapitalin njerëzor, sundimin e ligjit dhe klimën e biznesit, të cilat janë të domosdoshme për të avancuar agjendën e integrimit europian.

“Produktiviteti mbetet i ulët, ndërsa krahu i punës është ulur nga emigrimi. Kufizimet e kapaciteteve administrative vazhdojnë të paraqesin pengesa për bizneset. Do duhen reforma gjithëpërfshirëse në kapitalin njerëzor, sundimin e ligjit dhe rregullat e biznesit për të çuar para axhendën e integrimit. FMN mbetet e përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në këtë rrugëtim. Do punojmë me autoritet për të nxitur stabilitetin makroekonomi dhe standarde më të larta jetese”, tha ajo.