Maqedonia e Veriut renditet në vendin e tretë mes gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor për nivelin e përgjithshëm të konvergjencës me Bashkimin Evropian. Megjithatë, vendi mbetet pas në procesin formal të integrimit. Ndryshe nga Mali i Zi dhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut ende nuk i ka hapur zyrtarisht negociatat për anëtarësim. Raporti i OECD-së “Economic Convergence Scoreboard for the Western Balkans 2026”, i publikuar më 30 shtator 2026 mat konvergjencën e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në përmes gjashtë fushave: stabiliteti makro-financiar, infrastruktura dhe ndërlidhja, aftësitë, mjedisi i biznesit, transformimi digjital dhe tranzicioni i gjelbër, raporton Portalb.mk.
Në procesin e integrimit, dallimet janë të dukshme. Mali i Zi deri në mesin e vitit 2026 kishte mbyllur përkohësisht 18 nga 33 kapitujt negociues, ndërsa Shqipëria kishte hapur të gjithë 33 kapitujt dhe kishte mbyllur përkohësisht tre. Serbia kishte hapur 22 kapituj dhe kishte mbyllur dy. Në anën tjetër, Maqedonia e Veriut ende nuk ka hyrë në fazën e negociatave të hapura, pavarësisht se është vend kandidat që nga viti 2005.
Në të njëjtën kohë, fondet e BE-së për Ballkanin Perëndimor janë gjithnjë e më të lidhura me zbatimin konkret të reformave. Plani i Rritjes për rajonin parashikon 6 miliardë euro në grante dhe kredi, ndërsa disbursimi i mjeteve të Instrumentit për Reforma dhe Rritje kushtëzohet me përmbushjen e etapave të përcaktuara në Agjendat e Reformave.
Udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor në dhjetor 2023, foto nga faqja zyrtare e Talat Xhaferit në Facebook
Udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor në dhjetor 2023, foto nga faqja zyrtare e Talat Xhaferit në Facebook
Sipas OECD-së, deri në gjysmën e parë të vitit 2026, nga 6 miliardë eurot e parashikuara për periudhën 2024–2027, ishin disbursuar 673.6 milionë euro, ose 11.2 përqind e shumës së përgjithshme. Mali i Zi kishte marrë 23.3 përqind të fondeve të parashikuara, Shqipëria 23.1 përqind, Maqedonia e Veriut 18.9 përqind, Serbia 10.6 përqind dhe Kosova 7 përqind. Bosnjë e Hercegovina, në kohën e përgatitjes së raportit, nuk kishte marrë ende fonde nga ky instrument.
“Mali i Zi regjistron përqindjen më të lartë të fondeve të disbursuara (23,3%), i ndjekur nga Shqipëria (23,1%) dhe Maqedonia e Veriut (18,9%), ndërsa Serbia (10,6%) dhe Kosova (7%) mbeten në një fazë më të hershme”, thuhet në raport.
Për Maqedoninë e Veriut, Komisioni Evropian ka parashikuar një alokim prej 750.4 milionë eurosh, të përbërë nga grante të pakthyeshme dhe kredi të favorshme. Deri në korrik 2026, vendi kishte marrë 142.1 milionë euro nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje. Kjo shumë përputhet me 18.9 përqind të alokimit të përgjithshëm të vendit.
“Disbursimi i burimeve të Instrumenti për Reformë dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor (IRRrBP) është i lidhur me përmbushjen e objektivave kyç të Agjendës së Reformave, por progresi në terren ka qenë i kufizuar: deri në gjysmën e parë të vitit 2026 ishin disbursuar vetëm 673,6 milionë euro, që përbëjnë 11,2% të fondit total të disponueshëm për periudhën 2024-2027”, thuhet në raport.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar në vitin 2023, synon t’u ofrojë vendeve partnere të rajonit përfitimet e anëtarësimit ende pa u bërë zyrtarisht pjesë e BE-së. Ai synon integrimin e partnerëve në Tregun e Përbashkët të BE-së, avancimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, thellimin e reformave të lidhura me BE-në dhe rritjen e financimit para-anëtarësues. Kjo, nga ana e saj, përshpejton procesin e zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të partnerëve.
Plani mbështetet nga Mekanizmi për Reforma dhe Rritje, instrumenti i tij financiar me një fond prej 6 miliardë eurosh. Çdo gjashtë muaj, partnerët raportojnë mbi progresin e reformave të zbatuara me mbështetjen e këtij mekanizmi. Alokimi më i fundit financiar lidhet me periudhën e tretë të raportimit gjashtëmujor dhe përfshin reformat e zbatuara deri në fund të dhjetorit 2025. Financimi i përgjithshëm i disbursuar përmes këtij instrumenti që nga viti 2024 arrin në 673,6 milionë euro.
Kuadri i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) luan një rol kyç në zbatimin e Mekanizmit për Reforma dhe Rritje. Ai kanalizon 3 miliardë euro në formë grantesh dhe kredish përmes këtij mekanizmi për të mbështetur investimet prioritare në transport, energji, sektorin digjital dhe kapitalin njerëzor. I krijuar 15 vite më parë, WBIF është një platformë e përbashkët financiare që bashkon Komisionin Evropian, organizatat financiare, shtetet anëtare të BE-së dhe Norvegjinë. Ai kontribuon drejtpërdrejt në Strategjinë “Global Gateway” të BE-së.