Sfida e sotme mund të jetë deçizive, pasi një fitore e Shqipërisë në Andorra, kombinuar me humbjen e Serbisë në Angli, do bënte që Kombëtarja kuqezi zyrtarisht të ishte në play-off e Kupës së Botës 2026 si e dyta e grupit, për të kërkuar një biletë në finalet që zhvillohen verën që vjen në Amerikën e Veriut.

Një gjë e tillë do ndodhte për herë të parë në historinë e futbollit tonë, andaj tri pikët janë detyrim, por me një sy edhe në Londër, ku duket se Anglia e kualifikuar e ka një ‘kafshatë’ të lehtë Serbinë, pasi kujtojmë se në Beograd i shënoi 5 herë.

Dueli i sotëm është i parafundit për Grupin K kualifikues, me Shqipërinë që pret Anglinë në Tiranë më 16 nëntor, ndaj sfida kundër Andorrës merr tjetër vlerë.

Formacionet zyrtare:

Andorra (5-4-1): Alex Ruiz, Borra, Llovera, Olivera, San Nicolas, Rodrigo, Babot, De las Heras, Cervos, Rosas, Lopez Trajner: Koldo Alvarez

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Gjimshiti, Ajeti, Mitaj; Shehu, Asllani, Laçi; Hoxha, Broja, Manaj Trajner: Sylvio Mendes Campos Junior

Cake dhe Pajaziti në tribunë

Për duelin e sotëm, Sylvinho ka vendosur mos ketë të gatshëm mbrojtësin Klisman Cake dhe mesfushorin Adrion Pajaziti. Trajneri ka grumbulluar 25 futbollistë për këtë duel, por duke qenë se UEFA lejon vetëm 23 lojtarë të gatshëm, Sylvinho ka sakrifikuar Caken dhe Pajazitin.

Vlera në ‘Transfermarkt’

Sipas faqes së specializuar të vlerësimit të futbollistëve, në treg ekipi i Andorrës vlen 3.56 milionë euro. Lojtari më i shtrenjtë i tyre është portieri Iker Alvarez. Ai luan në Spanjë me Cordoba CF dhe kartoni i tij kushton 800 mijë euro. Ndërkohë Shqipëria në këtë grumbullim ka një vlerë lojtarësh prej 88.20 milionë euro. Armando Broja, Kristjan Asllani apo Mirlind Daku janë futbollistët më me vlerë të tanëve.

Historia dhe statistikat mes dy skuadrave

Ndeshja e sotme do jetë e nënta mes dy skuadrave. Shqipëria mban vendin e 61-të në renditjen e FIFA-s, duke u ngjitur me pesë pozicione pas fitores së një muaji më parë në Serbi. Nga ana tjetër Andorra është në vendin e 172-të në këtë renditje.

Në përballjet kundër Andorrës në gjithë historinë, Shqipëria e futbollit ka gjashtë fitore, një barazim dhe një humbje. Dueli i parë mes dy skuadrave është luajtur më 6 shkurt të vitit 2000 në Maltë për turneun “Rothmans” dhe tanët fitonin 3-0 me golat e Edmond Dalipit, Rudi Vatës dhe Johan Drizës.

Ndeshja e dytë më 17 prill 2002, një miqësore zhvilluar në Andorra, përfundonte me fitoren 2-0 të vendasve. Më pas tanët kanë dy fitore radhazi, para se në 14 nëntor 2019 skuadrat të barazonin 2-2 në “Elbasan Arena” për kualifikueset e Euro 2020.

Më pas Shqipëria numëron edhe tre fitore kundër Andorrës, më 2021 në dy takime, si edhe më 24 marsin e këtij vitit për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Në total, Shqipëria i ka shënuar 14 gola Andorrës në tetë takime, kundrejt katër të pësuarve.

Arbitri – Rumuni Horatiu Mircea Fesnic do jetë arbitri kryesor i duelit të sotëm.

Tifozët – Mbi 5 mijë tifozë priten sot në stadiumin “Encamp” të Andorrës, me Federatën e këtij vendi që ka njoftuar se të gjitha biletat janë shitur. Në stadium priten ngjyrat kuqezi, pasi rëndësia e ndeshjes ka bërë që tifozët e Kombëtares të ‘infiltrohen’ si vendas gjatë shitjes së biletave, paçka se Federata e Andorrës kishte vendosur disa kushte për t’u pajisur me bileta.

Klasifikimi

Pas gjashtë ndeshjeve, Shqipëria me 11 pikë mban vendin e dytë në grup, shtatë më pak se Anglia kryesuese që është kualifikuar dhe një më shumë se Serbia e vendit të tretë. Letonia me pesë pikë renditet e katërta, ndërsa mbyll tabelën Andorra me vetëm një pikë.

Shqipëria ka vetëm një humbje në këto kualifikuese, atë kundër Anglisë në duelin e parë hapës, ndërsa pozicioni i dytë do të thotë një vend në play-off për të kërkuar biletën e finalave të Botërorit 2026, një ëndërr për gjithë shqiptarët, pasi diçka e tillë nuk ka ndodhur në historinë e futbollit tonë.

Ndeshjet e Grupit K – Sot, 20:45

Andorra – Shqipëri

Angli – Serbi

 

Askush si Elseid Hysaj, bëhet futbollisti me më shumë ndeshje të luajtura për Kombëtaren

 

 

Elseid Hysaj është titullar kundër Andorrës dhe kjo do të thotë se mbrojtësi shkodran e ka veshur për 95 herë fanellën e Kombëtares, më shumë se askush në histori. Mbrojtësi i Lazios lë pas Lorik Canën, i cili e mbylli karrierën me 94 ndeshje si kuqezi. Padyshim një datë historike për Hysaj, që kërkon edhe tri pikë në Andorra si dhe ‘nderin’ e Anglisë kundër Serbisë, për të kompletuar një ditë ‘të çmendur’.

 

FORMACIONET ZYRTARE/ Sylvinho luan në sulm, Hoxha ‘i merr vendin’ Uzunit! Titullarët e Andorra – Shqipëri

 

Dhoma e zhveshjes së Kombëtares në Andorra

Trajnerët Koldo Alvarez dhe Sylvinho kanë zbardhur titullarët e Andorra – Shqipëri. Sot në 20:45 kuqezinjtë do zbresin në fushë me skemën 4-3-3, duke kërkuar golin. Nga ndeshja e fituar 0-1 në Serbi, vetëm Uzuni është në stol dhe vendin e tij e ka marrë Hoxha. Sylvinho nuk heq dorë nga ekipi fitues, por me një modifikim në kërkim të krosimeve të Hoxhës.

Formacionet zyrtare:

Andorra (5-4-1): Alex Ruiz, Borra, Llovera, Olivera, San Nicolas, Rodrigo, Babot, De las Heras, Cervos, Rosas, Lopez Trajner: Koldo Alvarez

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Gjimshiti, Ajeti, Mitaj; Shehu, Asllani, Laçi; Hoxha, Broja, Manaj Trajner: Sylvio Mendes Campos Junior

 
 

Njihuni me trajnerin e Andorrës, ka 15 vite që drejton ekipin dhe luan me skemën 5-4-1! Numëron 11 fitore në 135 ndeshje

 

Koldo Alvarez është emri i trajnerit të Andorrës. 55-vjeçari është një legjendë e futbollit në këtë vend, pasi e drejton ekipin kombëtar që prej 2 shkurtit 2010. Gjatë kësaj kohe ai e ka drejtuar ekipin në 135 ndeshje, nga të cilat ka siguruar 11 fitore, 21 barazime dhe 103 humbje. Gjatë këtyre viteve Andorra e tij ka shënuar 47 gola, kundrejt 279 të pësuarve. Mesatarja e tij e pikëve është 0.4, teksa për momentin Andorra e gjen veten në pozitën e 172-të në renditjen e FIFA-s. Skema e preferuar, 5-4-1.

  

Statistikat/ I kemi shënuar 14 gola Andorrës, Kombëtarja vetëm një humbje kundër rivalit të sotëm

 

Ndeshja e sotme mes Andorrës dhe Shqipërisë do jetë e nënta ndërmjet dy skuadrave. Shqipëria mban vendin e 61-të në renditjen e FIFA-s, duke u ngjitur me pesë pozicione pas fitores së një muaji më parë në Serbi. Nga ana tjetër Andorra është në vendin e 172-të në këtë renditje.

Në përballjet kundër Andorrës në gjithë historinë, Shqipëria e futbollit ka gjashtë fitore, një barazim dhe një humbje. Dueli i parë mes dy skuadrave është luajtur më 6 shkurt të vitit 2000 në Maltë për turneun “Rothmans” dhe tanët fitonin 3-0 me golat e Edmond Dalipit, Rudi Vatës dhe Johan Drizës.

Ndeshja e dytë më 17 prill 2002, një miqësore zhvilluar në Andorra, përfundonte me fitoren 2-0 të vendasve. Më pas tanët kanë dy fitore radhazi, para se në 14 nëntor 2019 skuadrat të barazonin 2-2 në “Elbasan Arena” për kualifikueset e Euro 2020.

Më pas Shqipëria numëron edhe tre fitore kundër Andorrës, më 2021 në dy takime, si edhe më 24 marsin e këtij vitit për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Në total, Shqipëria i ka shënuar 14 gola Andorrës në tetë takime, kundrejt katër të pësuarve.

 Andorra ‘vishet’ kuqezi, tifozët e Kombëtares nisin festën me flamuj dhe plisa

 

Në stadiumin ‘Encamp’, Andorra pret Shqipërinë sot në orën 20:45. Impianti modest në Andorra ka një kapacitet prej 5100 ulësesh, ndërsa pritet që 60 përqind e stadiumit të jetë i ‘veshur’ kuqezi.

Tifozët e Kombëtares ia kanë dalë të sigurojnë bileta në shumë sektorë të stadiumit, paçka se zyrtarisht në stadium do duhet të ishin diçka më shumë se 200 të tillë.

Me një popullsi prej 80 mijë banorësh, sot në Andorra do shtohen të paktën 3 mijë shqiptarë për ndeshjen që mund të jetë historike. Kuqezinjtë kanë nisur festën me flamuj dhe plisa.