Dinamo do të presë në “Air Albania” skuadrën e Egnatias, në kuadër të javës së 16-të të Superiores, aty ku natyrisht që të dyja skuadrat do të tentojnë të marrin më të mirën për të forcuar pozitat në “Final 4”.dinamoDy sfidat e fundit të Dinamos, e kanë bindur Dajën për rreshtimin dhe me shumë gjasa, edhe me Egnatian do të zbresë në fushë me të njëjtin formacion, ndoshta me dilema të pakta në prapavijë. Kështu, i paprekshëm në portë vazhdon të jetë Aldo Teqja që po bën ndoshta një nga sezonet e tij më të mira, ndërkohë që në mbrojtje priten të jetë Neziri në të majtë e Maliqi në të djathtë. Në qendër, titullar do të jetë Teikseria dhe ka një balotazh mes Ditës e Beqjes, por duke parë formën e mirë që po kalon, me shumë gjasa mund ta nisë Beqja.
Në mesfushë, Vila, Qardaku e Gudiabi pritet që të mbështesin treshen e sulmit me Bregun në të djathtë, Nanin në të majtë dhe Guindon në qendër. Ky formacion, i ka dhënë Dinamos 6 pikë në dy ndeshjet e fundit si edhe e ka kthyer në goleada, duke fituar 6-2 ndaj Tiranës dhe 0-3 në Vlorë kundër Flamurtarit. Me këto statistika, vështirë që Daja të mund të provojë ndonjë eksperiment.