‘
Rama dhe Macron flasin Forumin Ekonomik Ndërkombëtar që bëri bashkë për herë të parë në Shqipëri investitorë, liderë biznesi dhe përfaqësues të lartë shtetëror nga e gjithë bota. Macron bëri thirrje për investime në Shqipëri, duke thënë se shumë shpejt vendi do jetë pjesë e BE. Për Ramën, ka ardhur koha që mund të çelet një epokë e artë edhe për Evropën.
Tirana mirëpriti Forumi Ekonomik Ndërkombëtar që bëri bashkë për herë të parë në Shqipëri investitorë, liderë biznesi dhe përfaqësues të lartë shtetëror nga e gjithë bota. I titulluar ‘ E ardhmja e investimeve në Evropë’, diskutimet u përqendruan tek destabiliteti që ka shkaktuar Rusia, por edhe tensionet tregtare si pasojë e politikës tarifore të administratës së Donald Trump.
Forumit ju bashkuan edhe kryeministri Edi Rama dhe presidenti francez Emanuel Macron, i cili ndodhej në Tiranë për herë të dytë për një vizitë zyrtare. Presidenti francez theksoi se Europa duhet të rrisë investimet publike dhe private në tri fusha të së ardhmes: mbrojtja, teknologjia e gjelbër dhe inteligjenca artificiale (IA), duke shtuar se duhet shmangur lufta e brendshme në Europë.
“Duke iu referuar çka tha Edi për historinë e Trump, Evropa mund të arrijë pavarësi duhet të zgjedhim partneritetet tona dhe të shohim varësitë tona. Me krizën në Ukrainë u ekspozuan kostot. Pyetja është a do të bëhemi një fuqi e gjelbër e aftë, përgjigjja është Po, por kjo është një fazë e re e rrugëtimit europian. Duhet të shmangim luftën e brendshme në Europë”, tha Macron.
Aeroporti i Vlorës, mundësi e madhe dhe për rajonin! Do ndërtojmë diçka spektakolare në Sazan
Përtej Evropës, presidenti Macron ftoi investitorët të eksplorojnë Shqipërinë, një vend i sigurt e portë strategjike.
“Këtu në Shqipëri qartësisht keni në fakt pikën hyrëse në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, pikë kyçe në Mesdhe dhe Evropë ndaj iu inkurajoj të investoni në Shqipëri sepse keni udhëheqje të fortë. Nuk flas vetëm se është miku im, por sepse ka sjellë rezultate. Në dy vitet që vijnë duke qenë se ka mandat të qartë, do të jenë pjesë e BE. Të jeni të sigurt që ne si Evropë do të japim rezultate”, tha Macron.
Nga ana tjetër, edhe për kryeministrin Rama ka ardhur koha që edhe për Europën të çelet një epokë e artë.
“Besoj dhe vazhdoj të besoj se kur Trump thotë që zoti e shpëtoi sepse ka një plan për Amerikën , ai thotë gjysmën e të vërtetës. Unë besoj se gjysma tjetër është që zoti e shpëtoi se ka një plan edhe për Evropën. Dua të ndaj me ju këtë bindje që kur dëgjova presidentin e SHBA të fliste për një epokë të artë, ndjesia ime ishte që në fakt, një epokë e artë mund të çelet edhe për Evropën”, tha Rama.