Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani po merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit 2025 të organizuar në Slloveni.
“Në 20-vjetorin e Forumit Strategjik të Bled, Slloveni, për të marrë pjesë në diskutime rreth sfidave aktuale, me integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE si një çështje kryesore për të ardhmen e kontinentit”, informon ai nëpërmjet rrjeteve sociale.
Ndër të tjera, ministri Hasani nënvizon se “Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në forcimin e bashkëpunimit dhe nxitjen e dialogut mbi tematika kyçe rajonale dhe globale, si dhe në zgjerimin e partneriteteve mbi prioritetet e përbashkëta”.
Ditën e nesërme, Hasani do të marrë pjesë në Panelin me temë “Rajoni larg të rinjve: Koha për ndryshim”, i cili do të fokusohet tek nevoja e fuqizimit të të rinjve në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe bërja pjesë e tyre në jetën aktive të zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe demokratik.
Ky vit shënon 20-vjetorin e Forumit Strategjik të Bledit, një konferencë e rëndësishme ndërkombëtare në Evropën Qëndrore dhe Juglindore që bashkon udhëheqës botërorë nga fusha të ndryshme për dialog strategjik në nivel të lartë.
Forumi shërben gjithashtu edhe për rrjetëzim ndërmjet udhëheqësve kryesorë politikë, përfaqësuesve nga biznesi, jeta akademike dhe shoqëria civile nga e gjithë bota.