Në një deklaratë publike të fortë dhe të sinqertë, kryetarja e Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët (FRASH), , ka shprehur hapur kundërshtimin ndaj qëndrimeve dhe bashkëpunimeve politike të udhëheqësisë aktuale të partisë, duke u pozicionuar qartazi përkrah Arben Fetait.
“Si kryetare e FRASH-it, bashkë me udhëheqësinë e Forumit dhe në konsultim të vazhdueshëm me të rinjtë dhe miqtë tanë, kemi qenë të qartë në kundërshtimin ndaj bashkëpunimeve që bien ndesh me kauzat dhe ideologjinë tonë,” shprehet Nuredini. Ajo theksoi se ky qëndrim është mbajtur me bindje, përgjegjësi dhe transparencë edhe në tryezat e vendimmarrjes brenda partisë.
Sipas saj, vendimi për të votuar për dalje nga Qeveria, megjithëse jo në formatin më të përshtatshëm, ishte i domosdoshëm pasi FRASH nuk kishte përfituar asgjë nga ajo marrëdhënie: “As të rinjtë, as vizioni ynë.”
Në një mesazh që dukshëm sfidon lidershipin aktual të partisë, ajo nënvizon se aktualisht nuk është në pyetje pushteti, por idealizmi, duke theksuar se FRASH mbetet një nga zërat më të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë në këtë parti.
“Kam kaluar një periudhë të vështirë përballë një dileme të ndjeshme. Njëra anë më kërkonte besnikëri, tjetra më kërkonte zë. Zgjodha zërin pa mohuar mirënjohjen për ata që më kanë formuar dhe udhëhequr,” deklaroi Nuredini, duke shtuar se “dashuria për liderin nuk duhet të na verbojë përballë arsyes që na bëri pjesë të kësaj partie.”
Në fund, ajo ritheksoi përkushtimin e saj ndaj idealit për ndryshim dhe shpalli hapur mbështetjen për Arben Fetain: “FRASH zgjedh të qëndrojë, të flasë dhe të veprojë në anën e Arben Fetait, duke ditur se ai është shembulli më domethënës i një posti të bartur me dinjitet dhe përkushtim të palëkundur.”