Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Elton Alushi, viziton në repartin e djegieve në QSUT Shefin e Komisariatit të Policisë Delvinë, Komisar Agim Troci, i cili pësoi djegie të shumta gjatë përpjekjeve për të shpëtuar disa të moshuar që nuk dilnin dot nga zona e zjarrit në fshatin Vergo të Delvinës.
Drejtori Proda është interesuar që në momentet e para për gjendjen e tij dhe ka ndjekur nga afër organizimin e transportimit me helikopter drejt Tiranës, menjëherë sapo është njoftuar për ngjarjen.
Gjatë vizitës, Drejtori i Përgjithshëm është interesuar pranë stafit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Shefit të Komisariatit, duke i uruar atij shërim të shpejtë dhe e ka përgëzuar për aktin e tij të guximshëm dhe human. Po ashtu, ai ka vlerësuar të gjithë punonjësit e Komisariatit të Policisë Delvinë që sot kanë rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar nga flakët shumë banorë pjesa më e madhe të moshuar, në fshatrat e Delvinës, si pasojë e një zjarri të madh të favorizuar nga era, që ka përfshirë shumë zona të banuara.