Një deklaratë e përbashkët me 19 pika të dakordësuara mes udhëheqësve tëBashkimit Europian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor ishte rezultati i samitit më të fundit që u mbajt në Bruksel mbrëmjen e së mërkurës (17.12).
Ashtu siç pritej, pas përgëzimit ndaj vendeve kandidate për reformat e ndërmarra në kuadër të procesit të anëtarësimit, BE-ja iu rikujtoi edhe njëherë shteteve të rajonit ballkanik që duan të bëhen pjesë e tij, që të vijojnë luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Por mbi të gjitha kërkoi zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjeve.
BE, Ballkanit Perëndimor: Pajtohuni
Për shkak të kontekstit gjeostrategjik të momentit, thelluar nga lufta në Ukrainë, Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian i nevojiten më shumë se kurrë njëri-tjetrit. Por sa i dobishëm mund të jetë një rajon që mbart ende shumë mosmarrëveshje nga e shkuara?
Edhe këtë herë BE-ja ripërsëriti kërkesat e tij për zgjidhjen e konflikteve mes shteteve fqinje në Ballkanin Perëndimor.
“Bashkëpunimi gjithëpërfshirës rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbeten çelësi për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët dhe për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në mirëbesim dhe me rezultate të prekshme, duke përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin për Miqësinë, Fqinjësinë e Mirë e Bashkëpunimin me Bullgarinë”.
Marrëvëshjet dhe zgjidhjet duhet të jenë vendimtare, sipas BE-së, me qëllim pajtimin dhe stabilitetin në rajon „për mosmarrëveshjet dhe problematikat rajonale dhe dypalëshe të partnerëve të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e vendosura, ku përfshihen Marrëveshja për Çështjet e Trashëgimisë, rastet e mbetura të personave të zhdukur dhe çështjet e krimeve të luftës”.
“Dialogu Prishtinë- Beograd duhet të zbatohet”
Vetëm pak orë para se të nisej për Bruksel, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, përmes një njoftim surprizë bëri të ditur se Serbia nuk do të merrte pjesë në këtë samit. Argumenti i dhënë prej tij ishte se ai po mbronte interesat e Serbisë duke mos marrë pjesë përkrah vendeve të tjera të rajonit.
Por pavarësisht mungesës së Vuçiq, pika e tetëmbëdhjetë e deklaratës së Unionit ripërsëriti nevojën urgjente për të çuar përpara dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë të dy partnerët në rrugën e tyre drejt Europës. Të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun Beograd-Prishtinë, të ndërmjetësuara nga BE-ja, duhet të vihen në zbatim, në veçanti Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Shtojca e saj” – u tha në deklaratën e përbashkët.
Kësaj pike iu shtua edhe sqarimi se në mënyrë që të dyja shtetet të mund të përfitojnë nga reformat dhe mbështetja financiare e Instrumentit për Reforma dhe Rritje në Ballkanin Perëndimor, “kushtëzohet nga angazhimi konstruktiv i partnerëve me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”.
Kosova shpëton nga masat
Pak çaste pas kësaj deklarate, rreth mesnatës, përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet e saj sociale, presidentja e Kosovës njoftoi se Bashkimi Europian dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, i kishin konfirmuar heqjen e të gjitha masave të ndërmarra ndaj Kosovës, deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm.
“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që Kosovës t’i hiqen të gjitha masat, me një pjesë e madhe që i hiqen sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit. Rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit” – deklaroi presidentja Osmani.
Lajmi për heqjen e masave ndëshkimore financiare ndaj Kosovës u konfirmua edhe nga vetë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në platformën “X”.
“Jam e lumtur të njoftoj se po ecim përpara për të hequr masat ndaj Kosovës. Po programojmë 216 milionë euro ndihmë financiare dhe kemi ndërmend të disbursojmë 205 milionë euro në fillim të vitit të ardhshëm” – shkroi numri një i Komisionit Europian, von der Leyen. Samiti i ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor do të mbahet në qershorin e vitit të ardhshëm në Malin e Zi, shtetin ballkanik që mund të bëhet i 28-ti vend anëtar i Unionit./DW