Studiuesit në Kinë pretendojnë se kanë zhvilluar një ngjitës të ri për kockat, i cili mund të përdoret për të trajtuar frakturat dhe copëzimet e kockave të thyera në vetëm disa minuta. Sipas ekipit kërkimor nga provinca Zhejiang, nën drejtimin e dr. Lin Xianfeng, ortoped në spitalin “Sir Run Run Shaw”, ky inovacion mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si trajtohen dëmtimet kockore, shkruan News.ro.
Substanca e re, e quajtur “Bone-02”, premton të riparojë fragmentet e kockës në më pak se tre minuta, duke reduktuar nevojën për ndërhyrje kirurgjikale të ndërlikuara dhe për implantime metalike si pllakëza ose vida.
Si funksionon ngjitësi “Bone-02”
Inspirohuar nga mënyra se si gocat e detit (stridiet) ngjiten fort në sipërfaqe nën ujë, ekipi kinez ka kërkuar të përsërisë këtë mekanizëm natyror të ngjitjes për të bashkuar fragmentet e kockave njerëzore.
Sipas dr. Xianfeng, ngjitësi arrin fiksim të plotë brenda dy deri në tre minuta, madje edhe në prani të gjakut, një sfidë e madhe në operacionet ortopedike.
Një avantazh i rëndësishëm i “Bone-02” është se substanca përthithet gradualisht nga trupi, në të njëjtën kohë që kocka shërohet, duke eliminuar nevojën për një ndërhyrje të dytë kirurgjikale për heqjen e materialit.
Testet laboratorike dhe rezultatet e para klinike
Në testet e kryera në laborator dhe në provimet e para klinike, “Bone-02” ka treguar siguri dhe efikasitet të lartë. Në një nga studimet e raportuara, procedura u përfundua në më pak se tre minuta, në krahasim me trajtime tradicionale që kërkojnë prerje të mëdha dhe përdorimin e pllakave metalike për fiksim.
Formula përmban një kombinim të komponimeve të kalciumit dhe proteinave të veçanta, të cilat krijojnë një lidhje të fortë, fleksibile dhe të qëndrueshme midis fragmenteve të kockës. Aplikimi i saj kërkon vetëm një prerje minimale, përmes së cilës ngjitësi vendoset drejt në zonën e dëmtuar, duke bashkuar copëzat e kockës brenda disa minutash.
Deri më tani, sipas mediave kineze, “Bone-02” është testuar me sukses te më shumë se 150 pacientë. Forca e ngjitjes së kockave ka arritur në mbi 180 kilogramë, ndërsa testet mekanike të qëndrueshmërisë ndaj shtypjes dhe përkuljes tregojnë se ky material mund të zëvendësojë implantet metalike në të ardhmen.
Një tjetër përfitim është ulja e rrezikut të infeksioneve dhe reagimeve negative pas operacionit, pasi substanca është biokompatibile – pra, nuk shkakton reagime të dëmshme në organizëm.
Nga eksperimentet e para te aplikimi klinik
Aktualisht në treg ekzistojnë lloj-lloj cementesh ose materialesh mbushëse për kockat, por shumica prej tyre nuk kanë veti ngjitëse të vërteta. Përpjekjet e para për të krijuar një ngjitës të tillë datojnë që në viteve 1940, por formulat e asaj kohe, që përdornin xhelatinë, rrëshira epokside ose akrilate, u braktisën për shkak të mospërputhjes biologjike dhe reaksioneve të dëmshme.
Rezultatet e fundit të ekipit nga Zhejiang tregojnë se “Bone-02” përfaqëson një hap të madh përpara drejt një trajtimi më të shpejtë dhe më të sigurt të frakturave. Autoritetet shëndetësore kineze kanë miratuar tashmë zhvillimin dhe përdorimin klinik të këtij ngjitësi, me planin që ai të përdoret gjerësisht në spitalet e vendit si një alternativë moderne ndaj kirurgjisë ortopedike tradicionale.
Në të njëjtën kohë, ekipi po punon për rritjen e prodhimit në shkallë industriale dhe për mundësinë e eksportit global. Strategjitë tregtare dhe mbrojtja e pronësisë intelektuale janë ende në zhvillim, por Kina ka regjistruar patenta kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë teknologji, me qëllim që ta mbrojë dhe njëkohësisht ta bëjë të aksesueshme për komunitetin mjekësor ndërkombëtar.