Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD) dhe Ministria Shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit kanë nënshkruar një marrëveshje prej 400,000 eurosh për të mbështetur hartimin e një masterplani për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në rajonin e Korçës. Projekti, i cili u nënshkruan gjatë vizitës së presidentit Emmanuel Macron në Shqipëri, do të përfshijë planifikimin strategjik, një plan investimesh dhe bashkëpunim teknik me autoritetet lokale franceze, siç janë qyteti i Chambéry dhe departamenti i Savoie.
“Ky partneritet pasqyron ambicien tonë të përbashkët për të vendosur mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgiminë kulturore në zemër të zhvillimit të turizmit,” deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Grupit AFD, zoti Rémy Rioux.
“Duke lidhur institucionet dhe ekspertizën tonë, ne synojmë të ndërtojmë një urë midis rajoneve tona për të mbështetur rritjen gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Shqipëri.”
E nënshkruar nga Ministrja Mirela Kumbaro dhe Drejtori i Përgjithshëm i Grupit AFD, Rémy Rioux, marrëveshja do të mbështesë hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për të udhëhequr zhvillimin e turizmit në rajonin e Korçës gjatë viteve në vijim. Plani do të kombinojë mbrojtjen e mjedisit, planifikimin e qëndrueshëm territorial dhe vlerësimin e trashëgimisë arkitektonike dhe natyrore të rajonit.
“Ky projekt është një hap i madh për rajonin e Korçës dhe për Shqipërinë,” tha Mirela Kumbaro, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit.
“Ai sjell një vizion evropian në strategjinë tonë të turizmit, të mbështetur në qëndrueshmëri dhe bashkëpunim. Jemi krenarë që punojmë krah për krah me partnerët tanë francezë për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme dhe më tërheqëse për territoret tona.”
Një element kyç i projektit është bashkëpunimi teknik mes institucioneve shqiptare dhe atyre franceze, përmes shkëmbimeve ndërmjet palëve, duke përfshirë aktorë nga rajoni Alpin si Parku Natyror Rajonal i Maleve Bauges. Këto shkëmbime synojnë forcimin e kapaciteteve lokale dhe nxitjen e transferimit të njohurive në turizmin e qëndrueshëm dhe zhvillimin territorial.
Nisma plotëson gjithashtu përpjekjet e tjera të udhëhequra nga Franca në rajonin e Korçës, përfshirë rihapjen e planifikuar të Liceut Francez dhe bashkëpunimin e decentralizuar në vazhdim të mbështetur nga Ambasada Franceze.
Rreth Grupit AFD:
Grupi AFD kontribuon në zbatimin e politikave të Francës për zhvillim të qëndrueshëm dhe solidaritet ndërkombëtar. Grupi përfshin Agjencinë Franceze të Zhvillimit (AFD), e cila financon sektorin publik, OJF-të, kërkimin shkencor dhe trajnimin; filialin e saj Proparco, i cili është financon sektorin privat; dhe Expertise France, një agjenci për bashkëpunim teknik. Grupi financon, mbështet dhe përshpejton tranzicionet e nevojshme për një botë më të drejtë dhe më të qëndrueshme.
Që nga viti 2019, Grupi AFD është i pranishëm në Ballkanin Perëndimor dhe ka marrë mandatin për të mbështetur vendet e rajonit në përmbushjen e standardeve të BE-së dhe në zbatimin e Marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike, me qëllim ndërtimin e një trajektore zhvillimi gjithëpërfshirës dhe me pak karbon. Që atëherë, më shumë se 1.6 miliardë euro janë angazhuar nga Grupi AFD në rajonin e Ballkanit Perëndimor, nga të cilat 340 milionë euro në Shqipëri.