Serbia i ka kërkuar UEFA-s që ndeshja e ardhshme ndaj Shqipërisë (11 tetor 2025), e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, të mos zhvillohet në Beograd. Federata serbe po shqyrton mundësinë që sfida të zhvendoset në stadiumin e Leskovacit. Gjithçka lidhet me sjelljen e dhunshme të tifozëve serbë dhe frikën se mund të ketë incidente dhe sjellje raciste në stadium, njëjtë si në 14 tetorin 2014, kur futbollistët e Shqipërisë u dhunuan nga huliganët serbë.
Aktualisht, Anglia kryeson grupin K me pikë të plota dhe është thuajse e kualifikuar në fazën finale, ndërsa Serbia dhe Shqipëria luftojnë drejtpërdrejt për vendin e dytë që të çon në play-off. Përballja mes dy skuadrave, e cila do të luhet muajin e ardhshëm, pritet të jetë vendimtare për fatet e kualifikimit.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Serbe të Futbollit, Branko Radujko, konfirmoi se po punohet për zhvendosjen e takimit.
“Ndeshja ndaj Shqipërisë është prioriteti ynë absolut, pasi do të vendosë se kush do të shkojë në fazën tjetër. Kemi lojtarë me përvojë dhe besoj se do ta bëjnë kombin krenar. Po punojmë intensivisht që kjo sfidë të zhvillohet në Leskovac, një ambient ku skuadra është ndjerë gjithmonë e mbështetur dhe ka marrë rezultate pozitive”, tha Radujko për agjencinë Tanjug.
Frika e Federatës Serbe vjen edhe pas sjelljeve të përsëritura të dhunës nga huliganët serbë, të cilët u bënë protagonistë edhe në ndeshjen kundër Anglisë disa ditë më parë, teksa pritet një tjetër dënim i rëndë nga FIFA.
Vendimi përfundimtar pritet të merret në ditët në vijim, ndërsa sfida mes Serbisë dhe Shqipërisë mbetet një nga më të rëndësishmet e grupit.
Branko Radujko, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS)