“Vajza në Fest” solli për të tretin vit radhazi një atmosferë festive në fshatin e Vlorës që lidh artin, traditën dhe turizmin.
Në këtë fshat të vogël të rrethit të Vlorës, turistët vendas e të huaj, gjejnë qetësinë. Për të shkuar në Vajzë, vetëm 33 kilometra nga qyteti i Vlorës, e gjitha rruga që përshkruhet është e asfaltuar, rrethuar nga gjelbërimi.
Për vendasit, ky fshat ka premisa të kthehet në një burim ekonomik për të thithur sa më shumë vizitorë.
Se çfarë vajza ofron, i gjen të servirura në një event. “Vajza në Fest”, për të tretin vit radhazi promovoi pasuritë natyrore dhe kulturore të vendit, kulinarinë dhe polifoninë shqiptare.
“Banorët shtëpitë e tyre ose ndërtesat e reja mund t’i kthejnë në bujtina, të gatuajnë, të shërbejnë jo vetëm banorëve që jetojnë në Vajzë, në Vlorë, në Tiranë, por dhe turistëve të huaj që vijnë në Shqipëri, vijnë në qytet dhe nuk duan vetëm që të jenë pjesë e detit, por duan që një ditë të kalojnë edhe në zonat që ka gjelbërim ka qetësi, ka pyje, por ka dhe një natyrë dhe një ushqim shumë të mirë”, tha Nertil Bellaj, kryetari i Bashkisë Selenicë.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe regjisori Armando Bora, një nga organizatorët kryesorë me origjinë nga Vajza, vunë në dukje se janë pikërisht këto aktivitete që tregojnë më së miri se si tradita mund të nxisë zhvillimin e turizmit.
“Është një festival multiart, bashkon poezinë, teatrin, filmin, këngën polifonike, bashkon ekspozitat dhe Tashmë siç ju e prezantuat do të bashkojë edhe sportet. Pikërisht promovimi i Shqipërisë turistike si një destinacion me një identitet të veçantë, duke e promovuar këtë Shqipërinë tonë turistike përmes trashëgimisë kulturore dhe vendeve multiart”, u shpreh Zana Çela nga Agjencia Kombëtare e Turizmit.
Emra të njohur të skenës dhe artit shqiptar, si Pëllumb dhe Xhuljeta Kulla, shprehën vlerësimin e tyre për këtë iniciativë që promovon pasuritë natyrore dhe kulturore të fshatit Vajzë.
“Një ndjesi të këndshme kur shikoj që zhvillohen traditat, gërmohen thellë edhe dalin dhe bëhen evidente nëpërmjet teknologjisë bashkëkohore. Të tërë pamje, të tërë veprat që mblidhen ose që janë bërë personalitete gjithashtu të cilat janë në vetvete është arsenali i madh njerëzor patriotik” , u shpreh aktori Pëllumb Kulla.
“Bukur! Sot që udhëtonim ditën , vajza ndodhet midis këtyre maleve, kodrave në këtë lartësi të jep një kënaqësi të jashtëzakonshme”, tha aktorja, Xhuljeta Kulla.
Për vetë banorët e fshatit, “Vajza në Fest” është më shumë se një event kulturor, është një mundësi për t’u bashkuar më të afërmit.
“Është një kënaqësi e madhe se kujtojmë njëri-tjetrin”.
“Festa e Vajzës dhe të gjitha festat e tjerat që bëhen në çdo fshat apo dhe në gjithë zonën ka një rëndësi shumë të madhe se bashkojnë njerëzit”, shprehen banorët.
Risi e këtij edicioni ishte prezantimi për herë të parë i “LabTeatrit”, një iniciativë që solli në skenë teatrin lab, krahas këngës polifonike dhe valleve tradicionale që u duartrokitën nga të pranishmit.