Kombëtarja shqiptare ka risi në ditën e saj të parë të grumbullimit për ndeshjet e muajit shtator. FSHF ka bërë të ditur se ka tre ndryshime në listën e saj, teksa mbeten jashtë për probleme dëmtimi Ylber Ramadani dhe Ernest Muçi.
adrian bajrami
Por ajo që bie në sy është se një futbollist ka vendosur të largohet nga radhët e Kombëtares shqiptare për t’iu bashkuar Zvicrës. Mbrojtësi Adrian Bajrami, sipas FSHF-së, ka bërë këtë zgjedhje për t’iu bashkuar helvetëve, pasi ka luajtur më parë vetëm 3 miqësore me kuqezinjtë në periudhën kur ata drejtoheshin nga Edi Reja.
Të ftuar janë Kristian Shpendi, Enis Çokaj dhe Maldini Kaçurri, me këtë të fundit që është një risi në radhët e kuqezinjve.
NJOFTIMI I FSHF
Ndryshime në listën e Kombëtares para ndeshjeve të shtatorit me Gjibraltarin dhe Letoninë.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi Adrian Bajrami nuk do të jetë pjesë e Kombëtares. Bajrami ka vendosur të largohet nga Shqipëria për të luajtur me Zvicrën.
Pasi është vënë në dijeni për këtë vendim të lojtarit, trajneri Silvinjo ka vendosur të ftojë mbrojtësin Maldini Kaçurri, i cili do të bashkohet me skuadrën në kampin stërvitor të kuqezinjve në Malaga gjatë të hënës dhe do të vihet në dispozicion për këto dy ndeshje. Kaçurri, i cili ka qenë më parë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave U-17, U-19 dhe U-21 të Shqipërisë, ftohet për herë të parë në Kombëtaren A.
Në vend të Ylber Ramadanit, i cili nuk do të jetë pjesë e Kombëtares për shkak dëmtimi, është thirrur Enis Çokaj, mesfushor i Levadiakosit në kampionatin grek, që ka qenë edhe më parë pjesë e Kombëtares A, ku numëron 5 ndeshje.
Pjesë e Kombëtares për dy ndeshjet e shtatorit nuk do të jetë as Ernest Muçi, i cili ka vuajtur nga dhimbje të mesit me shenja të inflamacionit të diskut. Pas konsultimit me stafin mjekësor të klubit dhe doktorin e Kombëtares, është vendosur që ai të mos thirret për këto ndeshje.
Trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë sulmuesin Kristian Shpendi, i cili grumbullohet për herë të parë me Kombëtaren A, pas aktivizimeve me ekipet kombëtare të moshave U-19 dhe U-21.