Të paktën 1 milion euro mësohet të ketë shpenzuar Partia Demokratike e Sali Berishës për të paguar shërbimet e konsulentit amerikan, Chris LaCivita. Partia Demokratike nuk e ka dorëzuar ende në KQZ raportin për shpenzimet e fushatës, por gazetarja e Report TV, Danjela Maloku e mësoi shifrën nga burime pranë PD.
As shifra e majme për arkitektin e fitores së Trump, LaCivita nuk e ndihmoi Berishën të kthehet në pushtet, i cili pësoi një disfatë të thellë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit duke u rrudhur në 50 deputetë. LaCivita është shfaqur disa herë krah Berishës gjatë fushatës së 11 majit dhe është përfshirë edhe në replika në distancë me kryeministrin Edi Rama.
Prej gati 6 muajsh, kreu i PD është përpjekur ta fshehë shifrën e kontratës me LaCvita duke iu shmangur përgjigjeve të gazetarëve. Berisha thotë se vetë nuk ka paguar asnjë para nga xhepi, por shpenzimet personale për fushatën ia ka mbuluar Partia Demokratike. Por, tashmë shifra nuk mund të mbetet e fshehtë pasi PD e ka detyrimin që dorëzojë në KQZ raportin për shpenzimet dhe të ardhurat gjatë 11 majit dhe sot brenda ditës së sotme shifra e kontratës do bëhet zyrtare, pasi sot është afati i fundit.
LaCivita u prezantua më 10 shkurt nga Berisha dhe ka marrë pjesë në disa mitingje të Partië Demokratike gjatë 11 majit, por shfaqjet e tij ishin të rralla. LaCivita ka marrë pjesë në disa mitingje të Partisë Demokratike gjatë 11 majit. Por, teksa për LaCivitan do të zbulohet kontrata, e paqartë është ende se si Berisha solli në Tiranë për fushatë Paul Manafort, një njeri i akuzuar në SHBA për lidhjet me Kremlinin, që ka bërë evazion fiskal, që ka pastruar para, ka bërë mashtrime bankare, ka kërcënuar dëshmitarë, ka gënjyer në dëshmi apo edhe krime të tjera federale. Në shkrimet e mediave amerikane flitet se Manafort u rekrutua nga LaCivita për fushatën e PD-së.
Për LaCivitan dhe Manafort është ‘kujdesur’ edhe Fatmir Mediu, i cili sipas raportit që ka depozituar në KQZ, u ka paguar secilit nga 1100 euro faturë për akomodim në një hotel në Tiranë, ndërsa konsulenti LaCivita ka përfituar edhe një masazh indian.