Pavarësisht faktit që fushata për zgjedhjet lokale do të fillojë zyrtarisht nga fundi i muajit shtatorit apo eventualisht fillimi i muajit tetor, konkretisht 20 ditë para ditës së zgjedhjeve. Nga veprimet e partive politike dhe disa prej kandidatëve tashmë të konfirmuar të partive e koalicioneve, fushata veçse ka filluar në mënyrë joformale, shkruan Portalb.mk.
Beteja më e madhe mes partive maqedonase në Maqedoninë e Veriut do të jetë jetë në Shkup. Kryetari aktual i komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, do jetë kandidat nga VMRO-DPMNE, ndërsa ish-ministrja e Mjedisit Jetësor, Kaja Shukova, do jetë kandidate nga opozitarja LSDM.
Kandidat për Qytetin e Shkupit do të kenë edhe dy koalicionet shqiptare, VLEN nga qeveria dhe Fronti Evropian nga opozita.
VLEN partneri shqiptar i VMRO-DPMNE-së në pushtet, ende është duke kalkuluar me emrin e kandidatëve në komunat ku shumica janë shqiptare. Bilall Kasami nga ky koalicion do të garojë edhe për një mandat të dytë për Tetovën, ndërsa VLEN do të përkrahë edhe kandidatin e pavarur Mendi Qyra për Strugën.
Derisa BDI, pjesë e Frontit Europian, ka zbuluar disa nga emrat me të cilat do të garojë në zgjedhjet lokale. Bujar Osmani do të jetë kandidat i BDI-së për kryetar në Komunën e Çairit, për Komunën e Tetovës të jetë Bajram Rexhepi, ndërsa për Zhelinën do të jetë Emir Sulejmani.
Partitë në Qeveri shfrytëzojnë periudhën parazgjedhore në maksimum, së fundmi partitë e pushtetit kanë dalëme dhënien e vauçerëve për studentët, rritje të pensioneve, dhe vazhdimisht postojnë video në rrjetet sociale nga shumë projekte lokale që janë në zhvillim e sipër.
Kandidatët e opozitës nga Fronti, për Çairin dhe Tetovën, gjithashtu kanë ndezur motorët dhe janë aktiv me video paraqitje dhe aktivitete në terren.
Aktivitetet e tyre në raport me zgjedhjet lokale kanë nisur edhe kandidatët e pavarur, si: Mendi Qyra në Strugë dhe Visar Ademi në Gostivar.
Sipas analistit Faton Halili, zgjedhjet lokale qe do të mbahen në tetor për kampin shqiptar kanë rëndësi dhe domethënie jetike për të dyja taboret si atë të koalicionit VLEN si për Frontin Kombëtar.
“Këto zgjedhje do të zhdukin mjegullën e krijuar brenda politikbërjes shqiptare se kush në fakt posedon legjitimitetin e shqiptarëve, aq shumë bujë dhe polemika ka pasur që pas mbarimit të zgjedhjeve parlamentare sa që opinioni në përgjithësi gjendej në dilemë të madhe se kush realisht përfaqëson shumicën e votuesve shqiptar. Jo edhe rastësisht ka filluar euforia parazgjedhore edhe pse jemi 3 muaj larg tyre, këto zgjedhje përfundimisht do të eleminojnë nga skena disa teprica liderësh që dolën si kërpudhat mbas shiut e që po e kontaminojnë çdo ditë e më shumë skenën e arbërit të madh”, tha për Portalb.mk Halili.
Halili mendon se si çdo herë edhe këtë herë pritjet e publikut do të jenë me pritshmëri të vogla pasi që përsëri, sic i quan ai, kukullat e partive të deleguara nëpër kolltukët e komunave nuk do të jenë në gjendje të flasin për të bëmat edhe të arriturat e tyre gjatë mandatit paraprak, po do të fillojnë me premtimet boshe se si do na e sjellin Parisin, Romën, Madridin në këto vendbanime tonat pa ua siguruar ujin e pijshëm qytetarëve, infrastrukturën bazike të shëndetësisë, arsimit e tjerë.
“Raundi i dytë do të jetë kulminacioni i gjithë kësaj proverbe interesante, koalicionet, pazaret e fshehta, pse jo edhe të ndonjë rasti për tradhti kombëtare do të jenë pjesë e tavolinës së Shefit të madh, i cili po pret shqiptarë nga të dyja anët për një gjë të tillë! Shpresoj, por e kam vështirë ta besoj se përcaktuesin e fituesit do ta vendosin shqiptarët, nëpër disa komuna ajo do të ndodhë sipas dëshirës, vullnetit dhe pazarit me VMRO-në, këtu pastaj fillon një histori e re”, theksoi Halili.
Kujtojmë se, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka njoftuar se zgjedhjet lokale do të shpallen brenda afateve të planifikuara dhe se është e mundur që të shpallen në dhjetë ditshin e fundit.
Të qarta janë datat, por jo edhe rregullat sa i përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor për të cilat partitë politike janë bërë lëmsh sepse duhet të votohen me shumicë Badinteri. Propozim-ligjin e parë ua rrëzoi Gjykata Kushtetuese.