Dje, në bulevardin që e trajton si skenë personale, Sali Berisha e riktheu shfaqjen e preferuar: luftën kundër korrupsionit dhe komunistëve. Kundër korrupsionit, njeriu që është në akuzë Për korrupsion. Njeriu që është non-grata nga SHBA, Mbetëria e Bashkuar për minim të demokracisë dhe korrupsion të lartë. Luftë me komunistët nga komunisti -antikomunist që ka dekada që është rrëzuar, varrosur, analizuar, mallkuar dhe arkivuar. Por jo për të. Për të, ai duhet të mbetet gjallë – sepse pa të, ai mbetet pa armik. Dhe pa armik, mbetet pa identitet. Këtu fillon paradoksi psiko-politik: njeriu që ulërin më fort kundër komunizmit sillet si relike e tij. Retorika e një partie-shtet, gjuha e përçarjes, logjika “kush nuk është me mua është armik”, mitingu si ritual i bindjes kolektive – të gjitha këto janë vegla tipike të kulturës politike që pretendon se po lufton. Ai nuk e urren komunizmin si sistem; ai urren faktin që nuk është më ai që e kontrollon sistemin. Në Europën Lindore, ish-liderët komunistë u rrëzuan, u tërhoqën, u zhdukën nga skena ose u transformuan. Në Rumani, në Poloni në Hungari, historia kaloi në kapitull tjetër. Por tek ne kemi një fenomen klinik interesant: një figurë që jeton politikisht si i përndjekur i përjetshëm, ndërsa ka qenë sekretar partie dhe sillet ende si komunist dhe patriark i përhershëm. Një lider që flet për pluralizëm me ton sekretari partie. Një revolucionar që kërkon bindje absolute.
Psikologjikisht, kjo është ajo që quhet “projekcion”. Ai akuzon të tjerët për atë që mishëron vetë. Sa më shumë bërtet për komunizmin, aq më shumë riprodhon metodologjinë e tij: kultin e figurës, demonizimin e kundërshtarit, mobilizimin përmes frikës. Dje nuk pamë një protestë kundër sistemit; pamë një rikthim të mentalitetit të rrethimit – “ne kundër të gjithëve”, “populli i pastër kundër armiqve”. Një manual i vjetër, me kopertinë të grisur, por ende në përdorim. Tallja bëhet e pashmangshme: komunisti i fundit në Europën Lindore që proteston kundër komunizmit. Një figurë që aktron si disident, por reagon si aparatçik. Një lider që e quan veten antikomunist, ndërsa struktura e partisë së tij funksionon si sekt besnikërie personale. Në vend të debatit – anatema. Në vend të programit – mallkim. Në vend të reflektimit – ulërimë. Dhe dhuna? Dhuna është mekanizmi i fundit i atij që ndjen se po i mbaron koha. Kur nuk bind më me ide, provokon me tension. Kur nuk frymëzon më me vizion, mobilizon me zemërim. Është reagim i një figure që ndjen se historia po e lë pas dhe kërkon ta kapë prej krahu me zhurmë. Në fund, ajo që mbetet është një kontradiktë tragjikomike: një njeri që e ndërtoi mitin mbi luftën kundër një sistemi të rënë, por që në thelb nuk arriti kurrë të dalë prej formimit të tij politik. Një klloun cirku që akuzon fantazmat, ndërsa publiku është lodhur nga e njëjta shfaqje. Sepse komunizmi mund të ketë vdekur si regjim, por tek ai duket se mbijeton si instinkt. Dhe instinktet, sidomos ato të pushtetit absolut, nuk vdesin lehtë – ato thjesht maskohen me fjalë të reja.