I nderuar Kryetar i Këshillit Global për Tolerancë dhe Paqe, z. Ahmed Bin Mohamed Aljarwan,
I nderuar Kryetar i Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe, z. Zhangrang Epainete Sende,
I nderuar Ministër, z. Timço Mucunski,
I nderuar Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Republikës së Maltës, z. Angelo Farrugia
I nderuar Kryetar i Parlamentit të Tanzanisë, z. Mussa Azan Zungu
I nderuar nënkryetar i Kuvendit të Serbisë, z. Edin Djerlek,
E nderuara Sekretare e përgjithshme e Unionit Ndërparlamentar, znj. Anda-Cristina Philip,
I nderuar sekretar i përgjithshëm i PABSEK, z. Asaf Hajiyev,
Të nderuar deputetë, ekselenca, akademik,
Të nderuar udhëheqës dhe përfaqësues të institucioneve fetare në vend,
Të nderuar mysafirë, zonja dhe zotërinj,
Më lejoni t’ju dëshiroj mirëseardhjen më të përzemërt në Shkup, një qytet që historinë e ka ndërtuar mbi ura. Ura e Gurit në këtë qytet gërsheton simbolikën e urave të ndërtuara mes njerëzve, mes kulturave dhe mes dallimeve që nuk janë parë si kërcënim, por si mundësi për bashkëjetesë.
Kjo frymë na bashkon sot në këtë sesion të rëndësishëm të Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe, në një kohë kur bota ka nevojë më shumë se kurrë për maturi, dialog dhe përgjegjësi politike.
Përballë luftërave, tensioneve, kërcënimeve kibernetike, polarizimeve të shumta, gjuhës së urrejtjes dhe mosbesimit që po depërton në shumë shoqëri, ndërtimi i urave të komunikimit dhe dialogut mbetet e vetmja shpresë për paqe dhe tolerancë globale.
Në këtë pikë, përgjegjësia e parlamenteve nuk mund të mbetet vetëm procedurale. Atëherë kur politika tundon të ndahet në kampe dhe përplasje, janë parlamentet ato që duhet të mbrojnë dinjitetin njerëzor, vlerat universale dhe të jenë zëri i arsyes.
Prandaj, mbajtja e kësaj ngjarjeje në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka domethënie të veçantë për ne, ndaj kam kënaqësinë e veçantë të jem nikoqir i një ngjarjeje që kontribuon në këtë mision.
Për mua personalisht, diplomacia parlamentare është pjesë e misionit tim si Kryetar i Kuvendit, duke besuar fuqishëm se ajo përbën një instrument të rëndësishëm për forcimin e besimit, për afrimin mes kombeve dhe për promovimin e stabilitetit afatgjatë. Përmes vizitave të shumta zyrtare dhe të punës, pjesëmarrjes aktive në organizatat multilaterale, por edhe përmes pritjes dhe mbështetjes së ngjarjeve si kjo e sotmja, jemi munduar të forcojmë lidhjet me shtetet dhe popujt e tjerë, duke nxitur bashkëpunim, dialog dhe besim.
Për Republikën e Maqedonisë së Veriut, dialogu, kompromisi dhe paqja janë vlera të qytetërimit, ndaj edhe jemi shembull i rrallë në këtë drejtim.
Nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe përbën një hap me rëndësi të veçantë në thellimin e këtij angazhimi. Së bashku me mikun tonë, z. Ahmed Bin Mohamed Aljarwan, ne vendosëm themelet e një bashkëpunimi që synon të krijojë më shumë hapësirë për komunikim institucional, për shkëmbim përvojash dhe për koordinim më të gjerë në nismat ndërkombëtare që promovojnë paqen dhe tolerancën.
Kjo ngjarje që po zhvillojmë sot është një dëshmi konkrete se, kur ekziston vizion dhe përkushtim i sinqertë, memorandumet nuk mbeten vetëm akte formale, por prodhojnë rezultate.
Kur jam tek angazhimi i Kuvendit tonë ndaj misionit të përbashkët me organizatën, shfrytëzoj rastin të shpreh mirënjohje për ish-deputetin Fadil Zendeli, i cili që nga sesioni i parë i Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe ka përfaqësuar vendin tonë me përkushtim dhe dinjitet në afirmimin e vlerave të tolerancës dhe paqes. Dhe njëkohësisht, shpreh besimin e plotë se deputetja Ivanka Vasilevska, e cila sot e vazhdon këtë përgjegjësi, do ta çojë më tej këtë angazhim me të njëjtin përkushtim.
Të nderuar të pranishëm,
Bota sot nuk ka mungesë informacioni, por mungesë urtësie. Nuk ka mungesë fuqie, por mungesë besimi. Dhe pikërisht këtu qëndron roli historik i diplomacisë parlamentare dhe i misionit tonë.
Këtu jemi përfaqësues nga shtete të ndryshme, kultura të ndryshme dhe sisteme të ndryshme politike, por kemi një përgjegjësi të përbashkët: që brezat që vijnë pas nesh të trashëgojnë më shumë stabilitet sesa frikë, më shumë dialog sesa urrejtje.
Sepse paqja është si drita, nuk bën zhurmë kur lind, por ndryshon gjithçka që prek. Ndaj uroj që Shkupi të jetë vendi ku kjo dritë forcohet edhe më shumë. Dhe le të jetë “Deklarata e Shkupit” mesazhi se parlamentet mund të jenë bashkë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e paqes, tolerancës dhe dinjitetit njerëzor.
Të respektuar pjesëmarrës,
Paqja dhe toleranca janë dy fjalë që shkojnë gjithmonë krah njëra-tjetrës, por e them gjithmonë se ajo që vjen mbi paqen dhe tolerancën është dashuria. Këtë e kemi mësim nga shkupjania Nënë Tereza, e cila thoshte: “Sa herë që ndani dashuri me të tjerët, do të vini re paqen që vjen tek ju dhe tek ata.”
Prandaj, ju uroj diskutime të frytshme, me shpresën që kur të dalim nga kjo sallë, të dalim me bindjen se nuk kemi miratuar vetëm një deklaratë, por kemi ndërtuar më shumë mirëkuptim, guxim, respekt dhe dashuri për popujt tanë.