Izraeli dhe Hamasi janë dakordësuar dhe kanë nënshkruar për fazën e parë të planit të paqes në Rripin e Gazës. Donald Trump, i cili bëri njoftimin përmes një postimi në Truth Social, thekson se shumë shpejt do të dorëzohen pengjet izraelite dhe se IDF do të tërheqë të gjithë trupat në një vijë të rënë dakord.
“Jam shumë krenar të njoftoj se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar Fazën e parë të Planit tonë të Paqes. Kjo do të thotë që TË GJITHË pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të rënë dakord, si hapat e parë drejt një Paqeje të Fortë, të Qëndrueshme dhe të Përjetshme. Të gjitha palët do të trajtohen në mënyrë të drejtë! Kjo është një DITË E MADHE për Botën Arabe dhe Muslimane, Izraelin, të gjitha kombet përreth dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ne falënderojmë ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia, të cilët punuan me ne për ta bërë të mundur këtë Ngjarje Historike dhe të Pashembullt. TË BEKUAR QOFSHIN PAQËBËRËSIT!”, ka shkruar Trump.
IDF do të tërhiqet nga pjesa më e madhe e Rripit të Gazës (duke mbetur vetëm në Rafah) brenda 24 orëve të ardhshme. Sipas Hamasit, në këmbim të pengjeve, do të lirohen 2 mijë të burgosur palestinezë që mbahen në Izrael dhe shkëmbimi do të bëhet brenda 72 orëve nga zbatimi i marrëveshjes së arritur.
Familjarët e pengjeve kanë shprehur falenderime për Trump, ndërsa në rrugët e Gazës, palestinezët kanë dalë duke festuar.
Në një intervistë për Fox Neës, Trump deklaroi se të gjithë pengjet mund të dorëzohen të hënën. Ai ka zhvilluar edhe një telefonatë me Benjamin Netanyahin dhe pritet që të udhëtojë javën e ardhshme në Izrael, ku mund të flasë edhe në Knesset. Qeveria izraelite do të mblidhet sot për të miratuar marrëveshjen.
Dhe nëse miratohet, armëpushimi do të hyjë menjëherë në fuqi. Megjithatë, ende mungon një marrëveshje për çarmatimin e Hamasit: negociatat duhet të vazhdojnë.