Një krizë e re politike ka shpërthyer në Mal të Zi pas një përplasje të ashpër mes presidentit malazez, Jakov Milatoviq dhe zëvendëskryeministrit, Nik Gjeloshaj.
Shkak u bë kthimi për rishqyrtim i Ligjit për taksën mbi pronën e patundshme, veprim që zgjoi reagim të menjëhershëm nga Gjeloshaj, i cili përmes një serie mesazhesh akuzoi presidentin për favore ndaj lidhjeve familjare dhe përjashtim të komuniteteve jo-malazeze.
Kabineti i presidentit malazez ka bërë publike një pjesë të komunikimit, ku Gjeloshaj i shkruan se “ke bërë një gabim të madh. Pres reagim nga shqiptarët në të gjitha nivelet”.
Milatoviq iu përgjigj prerazi, duke e cilësuar gjuhën e përdorur si të papranueshme dhe jashtë normave institucionale, raportojnë mediat.
Ai shtoi se do të kërkojë nga kryeministri, Milojko Spajiq shkarkimin e menjëhershëm të Gjeloshajt për “sjellje kërcënuese dhe të padenjë për një zyrtar të lartë shtetëror”.
Nga ana tjetër, politikani shqiptar mohoi akuzat për kërcënim dhe e quajti reagimin e presidentit “tentativë për të shmangur përgjegjësinë për vendime të motivuara nga interesa personale”.
Ai akuzoi Milatoviqin se ka kthyer ligjin për të mbrojtur interesat e kumbarit të tij, Nebojsha Vuksanoviq, duke paralajmëruar se do të publikojë të gjithë komunikimin nëse presidenti nuk kërkon falje publike.
“Kam ruajtur çdo mesazh, dhe nëse presidenti nuk tërhiqet, qytetarët do të shohin të vërtetën për mënyrën sesi funksionon ky institucion,” deklaroi Gjeloshaj.
Ndërkohë, policia ka dorëzuar çështjen në prokurori, e cila do të vendosë nëse mesazhet përbëjnë vepër penale apo shkelje administrative.
Kjo përplasje ka hapur një kapitull të ri të tensioneve ndërmjet institucioneve dhe ka nxjerrë në pah edhe ndasi të thella etnike dhe politike në vend. Rrjedhat e saj mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin e qeverisë aktuale dhe në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve. /Telegrafi/