Një tren pasagjerësh ka dalë nga shinat në jugperëndim të Gjermanisë, pranë qytetit Riedlingen, ka njoftuar të dielën media ndërkombëtare. Disa burime, duke cituar autoritetet e sigurisë, raportojnë se disa persona kanë humbur jetën. Burime të tjera përmendin se disa njerëz janë plagosur.
Agjencia AP shkruan se të paktën tre persona janë lënduar, ndërsa Deutsche Presse-Agentur raporton se ka disa të vdekur dhe të plagosur.
Rreth 100 persona ndodheshin në tren në momentin kur të paktën dy vagonë dolën nga shinat në një zonë të pyllëzuar rreth orës lokale 18:10. Treni ekspres rajonal i Deutsche Bahn po udhëtonte nga Sigmaringen drejt Ulm kur ndodhi aksidenti.
Edhe pse rrethanat e aksidentit nuk janë ende të qarta, qendra e kontrollit në Reutlingen ka sinjalizuar një “incident të rëndë”, çka nënkupton një numër të madh viktimash.