Gati tridhjetë vjet pas pushimit të armëve në Ballkanin Perëndimor, dronë të rinj të armatosur janë duke patrulluar në heshtje mbi rajon, por askush nuk e di saktësisht numrin e tyre.
Marrëveshja për kontrollin nënrajonal të armatimit u nënshkrua në vitin 1996 – një vit pas përfundimit të luftës në Bosnje e Hercegovinë – nën kujdesin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Me të u vendosën kufizime për numrin e tankeve, automjeteve të blinduara, artilerisë së rëndë, avionëve luftarakë dhe helikopterëve sulmues në Bosnje e Hercegovinë, Kroaci, Serbi dhe Mal të Zi.
Por, sot, në këtë listë bie në sy mungesa e një arme moderne vdekjeprurëse: dronët e armatosur.
“Vetëm tri shtete zotëronin dronë të armatosur në vitin 2010. Në fund të vitit 2024, ky numër u rrit në mbi 40”, thotë për Radion Evropa e Lirë Antonio Prlenda, analist ushtarak nga Sarajeva, i cili së fundmi mbrojti tezën e magjistraturës për këtë temë.
Dronët ushtarakë janë më të lirë, më të lëvizshëm dhe më vdekjeprurës sesa avionët luftarakë tradicionalë.
Ata janë bërë një armë e preferuar në konfliktet e sotme – nga Ukraina, përmes Kaukazit deri në Lindjen e Mesme – dhe të gjithë duan t’i kenë në forcat e veta të armatosura.
Ballkani Perëndimor nuk bën përjashtim nga kjo.
Serbia ka blerë dronë sulmues nga Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli.
Ajo është duke zhvilluar edhe modelet vendase: Pegaz, Vrabac dhe Komarac, të cilat e kanë mbushur qiellin mbi këtë vend, pasi – së paku tash për tash – marrëveshja për të blerë dronë Bayraktar nga Turqia ka dështuar.
Kroacia ka blerë gjashtë dronë të armatosur turq dhe është duke prodhuar mini-dronët e saj vdekjeprurës, të cilët i ka eksportuar, mes tjerash, edhe në Ukrainë.
Sipas deklaratave të zyrtarëve, me kapacitetin aktual, ky vend mund të prodhojë rreth gjysmë milioni mini-dronë në vit.
Një tjetër vend i NATO-s, Mali i Zi, është duke i rritur në heshtje, por gjithnjë e më shumë kapacitetet e tij ushtarake.
Me një buxhet të kufizuar ushtarak, ai ka blerë dronë zbulues nga Sllovenia dhe është duke investuar në blerjen e dronëve shtesë, të destinuar për mbikëqyrjen e kufijve.
Gjithashtu ka njoftuar se do të prodhojë edhe vetë, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.
Në Bosnje e Hercegovinë, modernizimi i forcave të armatosura pengohet nga një buxhet i kufizuar, si dhe nga përçarjet politike.
Përveç helikopterëve të dhuruar nga Shtetet e Bashkuara, ky vend nuk ka avionë të tjerë.
Së voni, Turqia i ka dhuruar një sistem bllokimi të dronëve dhe i ka premtuar dy dronë Bayraktar.
Kosova – ndonëse nuk është pjesë e marrëveshjes për kontrollin e armatimit – ka filluar të sigurojë dronë ushtarakë, fillimisht Bayraktarë nga Turqia.