Gjashtë kompani të tregut të grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta–perimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë, i kanë rritur çmimet në mënyrë abuzive deri në 115%, dhe për këtë janë gjobitur nga Autoriteti i Konkurrencës
Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi PF, Besim Thaqi PF, Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland-2012 SHPK, fillimisht përmes bashkëpunimit fillimisht fiksonin çmimet e blerjes te fermerët gjatë periudhave të sezonit.
Konkurrenca njofton se pas një procedure të thelluar hetimore që zgjati gati dy vite, e cila përfshiu monitorimin e tregut, hetimin paraprak dhe hetimin e thelluar, arriti në konkluzionin se këto subjekte kishin rënë dakord që tua blinin produktet bujqve me çmim më të ulët duke i dëmtuar fermerët të cilët shpesh shesin nën kosto, dhe më pas vetë grumbulluesit i tregtonin shumë më shtrenjtë.
“Hetimi i thelluar tregoi se disa grumbullues, falë fuqisë së tyre negociuese, kishin krijuar një situatë ku fermerët shpesh përballeshin me: çmime të diktuara e të koordinuara, dyer të mbyllura për negocim, varësi të tepruar nga pak blerës, presione për uljen e çmimeve, dhe shlyerje të vonuara të pagesave”, thotë Konkurrenca.
Për shkak të kësaj shkelje të rëndë Komisioni ka vendosur gjoba deri në 0.15% të xhiros së vitit financiar paraardhës për secilën kompani. Gjithashtu janë urdhëruar të 6-ta ndërmarrjet që të afishojnë në mënyrë të dukshme çmimet aktuale të produkteve që grumbullojnë si dhe do të vijojnë të jenë subjekt monitorimi për 1 vit nga Autoriteti i Konkurrencës.
Përmes këtij ndëshkimi thotë Konkurrenca synohet të forcohen pozitat e fermerëve në treg, duke krijuar kushte për çmime më të drejta e më transparente. Veç kompanive i janë lënë disa detyra Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, që nga lufta ndaj informalitetit në sektor, të krijohet një bursë agro-ushqimore ku të jenë online çmimet, në mënyrë që të mbrohen fermerët nga praktikat abuzive të grumbulluesve.
Njoftimi i plotë i Autoritetit të Konkurrencës
Autoriteti i Konkurrencës përfundoi vlerësimin e praktikave në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta–perimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë, pas një procedure të thelluar hetimore që zgjati gati dy vite dhe përfshiu monitorimin e tregut, hetimin paraprak dhe hetimin e thelluar.
Në mbledhjen e datës 26.11.2025, Komisioni i Konkurrencës miratoi vendimet nr. 1234–1239, me të cilat konstatoi se një grup ndërmarrjesh grumbulluese – Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi PF, Besim Thaqi PF, Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland-2012 SHPK – kanë bashkërenduar çmimet e blerjes gjatë periudhave të sezonit, duke diktuar çmimet në dëm të fermerëve dhe duke aplikuar mark-up (shtesë mbi kosto) shumë të lartë, deri në 115%.
Kjo sjellje e bashkërenduar përbën marrëveshje të ndaluar sipas nenit 4 të ligjit nr.9121/2003 dhe është cilësuar si shkelje e rëndë, për të cilën Komisioni ka vendosur gjoba deri në 0.15% të xhiros së vitit financiar paraardhës.
Pse ky vendim është i rëndësishëm për fermerët në gjithë Shqipërinë
Hetimi i thelluar tregoi se disa grumbullues, falë fuqisë së tyre negociuese, kishin krijuar një situatë ku fermerët shpesh përballeshin me:
çmime të diktuara e të koordinuara,
dyer të mbyllura për negocim,
varësi të tepruar nga pak blerës,
presione për uljen e çmimeve,
dhe shlyerje të vonuara të pagesave.
Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës adreson në mënyrë të drejtpërdrejtë këto problematika dheforcon pozitat e fermerëve në treg, duke krijuar kushte për:
çmime më të drejta e më transparente,
konkurrencë të ndershme mes grumbulluesve,
mundësi reale zgjedhjeje për fermerët,
pagesa më të sigurta dhe marrëdhënie më të balancuara kontraktuale,
frenimin e skemave të koordinuara që dëmtonin të gjithë tregun kombëtar.
Për më tepër, megjithëse gjobiten 6 ndërmarrje,efekti i vendimit shtrihet në të gjithë tregun kombëtar, sepse:
sjell qartësi mbi praktikat e ndaluara,
vendos standarde të reja për transparencën e çmimeve,
synon disiplinimin e tregut të fruta-perimeve,
dhe nxit konkurrencën e ndershme për të gjithë aktorët.
Kjo është një ndërhyrje strukturore me impakt të drejtpërdrejtë në zinxhirin ushqimor dhe një sinjal i qartë se Autoriteti i Konkurrencës mbron interesat e fermerëve, një kategori që shpesh përballet me pabarazi të theksuar në negociata.
Detyrime dhe masa korrigjuese për grumbulluesit
Komisioni ka urdhëruar ndërmarrjet e gjobitura që:
të afishojnë në mënyrë të dukshme çmimet aktuale të produkteve që grumbullojnë,
të jenë subjekt monitorimi për 1 vit nga Autoriteti i Konkurrencës.
Këto masa synojnë rritjen e transparencës dhe krijimin e një tregu më të drejtë për fermerët.
Rekomandime për Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Me vendimin nr. 1240, Komisioni i Konkurrencës ka adresuar institucionet përgjegjëse me rekomandime të rëndësishme për reformimin e tregut, përfshirë:
minimizimin e informalitetit në gjithë zinxhirin e tregtimit,
hartimin e një baze të re ligjore në përputhje me standardet e BE,
krijimin e një platforme kombëtare online të çmimeve (bursë agro-ushqimore),
vendosjen e kontratave të detyrueshme dhe të standardizuara,
dhe bashkëpunimin për transpozimin e Direktivës së BE për praktikat tregtare të padrejta (UTP).
Nëpërmjet këtyre vendimeve, Autoriteti i Konkurrencës vijon përmbushjen e misionit të tij për të garantuar konkurrencë të lirë dhe të ndershme, duke kontribuar drejtpërdrejt në mbrojtjen e fermerëve, rritjen e transparencës dhe funksionimin më të drejtë të tregut agro-ushqimor në Shqipëri