Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se deputetët janë të obliguar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët.
“Gjykata përfundimisht ka konstatuar se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66, në ndërlidhje me paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 67, si dhe nenet 70 dhe 74 të Kushtetutës, në pajtim me Kreun IV të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit, si dhe nëpërputhje me konstatimet e dhëna në këtë Aktgjykim, janë të obliguar që, dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi, të përmbushin detyrimin kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës përmes zgjedhjes së Kryetarit/es dhe të nënkryetarëve të tij.”, thuhet në aktgjykimin e publikuar nga Kushtetuesja.
Rasti u iniciua nga deputetja Time Kadrijaj dhe 10 deputetë të tjerë, të cilët kërkuan vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë, si dhe të gjithë vendimeve të ngjashme në seancat e mbajtura gjatë muajve prill dhe maj.
Haradinaj reagon pas vendimit: U krijua baza ligjore për të dalë nga ngërçi
Agim Aliu rikandidon për kryetar të Ferizajt
Vendimi i Gjykatës
Me vendim unanim, Gjykata Kushtetuese ka shpallur kërkesën të pranueshme dhe ka konstatuar se: Seanca konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar;
Zgjedhja e Kryetarit/es dhe nënkryetarëve është kusht themelor për funksionalizimin e Kuvendit;
Seanca nuk është zhvilluar në përputhje me nenin 66 të Kushtetutës;
Deputetët janë të detyruar ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi.
Gjykata ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme.
Në arsyetim, Gjykata thekson se e drejta për të propozuar Kryetarin e Kuvendit, e rezervuar për grupin më të madh parlamentar, nuk mund të përdoret për të bllokuar procesin e konstituimit. Të gjithë deputetët, pavarësisht grupimit, kanë detyrimin kushtetues të bashkëpunojnë në mirëbesim për të zgjedhur Kryesinë e Kuvendit.
Gjykata gjithashtu thekson se pa zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve, Kuvendi nuk mund të ushtrojë funksionet e tij ligjvënëse dhe mbikëqyrëse. Zgjatja e këtij procesi rrezikon parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve dhe funksionimin demokratik të shtetit.