Profesori britanik Aidan Hehir e cilëson Gjykatën Speciale si një projekt politik të imponuar për të kënaqur Serbinë dhe paralajmëron pasoja të rënda për stabilitetin në Kosovë nëse liderët e UÇK-së shpallen fajtorë.
Katër vjet pas arrestimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së, procesi ndaj tyre në Gjykatën Speciale po zvarritet ende pa një përfundim të afërt.
Profesori britanik i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit, Aidan Hehir, shpreh shqetësim të thellë për mënyrën se si është themeluar dhe funksionon kjo gjykatë.
Në një intervistë për Albanian Post, ai e përshkruan Gjykatën si një organ të motivuar politikisht dhe një projekt të imponuar mbi Kosovën për t’ia plotësuar interesat strategjike Perëndimit dhe Serbisë.
Sipas Hehir-it, qëndrimi shumëvjeçar i të akuzuarve në paraburgim është i pajustifikueshëm ligjërisht dhe etikisht.
“Gjykata Speciale ka lëvizur me një ritëm akullnajor që nga themelimi i saj; kjo është kryesisht për shkak të makinacioneve politike, veçanërisht në lidhje me marrëdhënien ndërmjet kryeqyteteve kyçe perëndimore dhe Beogradit. Të akuzuarit kanë pësuar ndalim të zgjatur si rezultat i kësaj”, deklaron ai.
Profesori britanik është i prerë kur e cilëson këtë gjykatë si një mekanizëm thellësisht politik, të krijuar për të kënaqur Serbinë.
“Gjykata Speciale është një trupë thelbësisht politike. Ajo u krijua me një qëllim të vetëm: për të qetësuar Serbinë. Shtetet e fuqishme perëndimore e detyruan qeverinë e Kosovës ta krijojë këtë gjykatë pavarësisht mungesës së çdo mbështetjeje domethënëse publike apo politike për të brenda Kosovës. Gjykata iu imponua Kosovës nga ata që ishin të interesuar të afronin Serbinë me sferën perëndimore dhe ta largonin nga ndikimi rus”, thotë ai.
Hehir shton se kjo gjykatë i shërben propagandës së Beogradit për ta barazuar luftën çlirimtare të shqiptarëve me krimet e shtetit serb, duke i paraqitur shqiptarët si agresorë.
“Udhëheqësit politikë të Serbisë e donin krijimin e kësaj gjykate, sepse ajo u shërben përpjekjeve të tyre për ta rishkruar narrativën e luftës në vitet ’90. Beogradi dëshiron ta paraqesë konfliktin si një luftë ku ‘të dy palët’ ishin po aq fajtore dhe UÇK-ja ishin ‘terroristë’ që sulmonin civilët serbë. Kjo gjykatë është pra një mënyrë përmes së cilës përhapet propaganda serbe për luftën dhe zbatohet politika (e dështuar) e pajtimit e Perëndimit”, thekson ai.
Pasojat e kësaj qasjeje, sipas tij, janë të rënda për të ardhmen politike të Kosovës.
“Një Kosovë e pavarur nuk është kërcënim për askënd dhe është një mjet jetik për ruajtjen e stabilitetit rajonal. Kërcënimi më i madh për paqen është nacionalizmi agresiv serb. Gjykata Speciale, në mënyrë të çuditshme – e fuqizon këtë nacionalizëm dhe e minon stabilitetin e Kosovës. UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj janë me të drejtë të perceptuar si heronj brenda komunitetit shqiptar në Kosovë; që ata tani të akuzohen për përfshirje në një ‘ndërmarrje të përbashkët kriminale’ është një goditje e hidhur që ka shkaktuar zemërim të madh. Shqiptarët e Kosovës me të drejtë ndihen se aleatët perëndimorë janë kthyer kundër tyre. Nëse figura me peshë si Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi shpallen fajtorë, kjo me gjasë do të shkaktojë trazira shoqërore në Kosovë dhe do t’i japë hov nacionalizmit serb”.
Në vijim, ai e cilëson si plotësisht të vlefshëm perceptimin e drejtësisë selektive nga ana e qytetarëve të Kosovës, duke theksuar mosndëshkimin sistematik të krimeve serbe.
“Absolutisht. Forcat serbe kanë kryer shumicën dërrmuese të krimeve gjatë luftës në Kosovë, dhe megjithatë shumë pak liderë politikë apo ushtarakë janë dënuar për këtë. Më keq akoma, qeveria aktuale autoritare e Serbisë e mohon atë që ndodhi në Kosovë dhe nuk ka treguar asnjë ndjeshmëri. Fokusi kryesor i çdo hetimi gjyqësor për luftën në Kosovë do të duhej të ishte krimet e kryera nga qeveria e Serbisë. Ende janë mijëra shqiptarë të Kosovës të zhdukur; qeveria serbe e di se ku janë varrosur, dhe është krejtësisht e padrejtë që kjo të injorohet në dialogun Beograd-Prishtinë dhe të zbehet më tej përmes fokusit të ngushtë të KSC-së mbi krimet e pretenduara të UÇK-së.”
Për profesor Hehir, Gjykata Speciale përbën një dështim të madh të Perëndimit në raport me Kosovën dhe një kthim pas në procesin e vendosjes së drejtësisë dhe të së vërtetës për luftën. Në vend që të shërbejë si një mjet për pajtim dhe transparencë, ajo po shihet si një institucion i padrejtë që e delegjitimon luftën çlirimtare dhe e përçan shoqërinë.