Katër deputetët demokratë, Gazment Bardhi, Elda Hoti, Xhelal Mziu dhe Bledion Nallbati janë thirrur në GJKKO si dëshmitarë në procesin ndaj ish-kryebashkiakes së komanduar të Bashkisë së Tropojës, Zyra Islamaj dhe ndërtuesin Rrok Gega, të cilët akuzohen për korrupsion. Hetimi ndaj ish-kryebashkiakes nisi në bazë të një kallëzimi të deputetëve demokratë.
SPAK e akuzon Islamajn se ka ndërhyrë te ndërtuesi Gega për të ngritur një urë mbi përroin që kalon pranë shtëpisë së motrës së saj. Sipas SPAK, Islamaj planifikoi të angazhonte edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve, punonjës në Bashkinë Tropojë, për ta ndihmuar ndërtuesin.
Edhe ndërtuesi ka pohuar se ky ndërtim nuk ka qenë në procedurat e tenderimit dhe ai do t’ia bënte dhuratë Kryetares së Bashkisë Tropojë. Ura megjithatë, nuk është ndërtuar, ndërsa hetimi nisi pas një denoncimi të PD-së mbi materiale të një emision televiziv investigativ në nëntor të vitit 2024 në televizionin e familjes Berisha.
——————————-
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë