Tre persona janë arrestuar në flagrancë dhe një tjetër është proceduar penalisht pas një konflikti të ndodhur në një servis makinash në lagjen nr. 10 të Korçës.
Sipas Policisë, shtetasit e arrestuar janë E. D., 39 vjeç, banues në Korçë; E. Th., 40 vjeç, banues në Tiranë; dhe L. M., 34 vjeç, banues në Korçë. Ndërsa pronari i servisit, R. Xh., 35 vjeç, u procedua për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.
Hetimet tregojnë se E. D. dhe E. Th. shkuan me një automjet tek servisi për pakënaqësi lidhur me një shërbim dhe goditën pronarin me sende të forta dhe mjet prerës. L. M., i cili ndodhej rastësisht në vendngjarje, u përfshi gjithashtu në konflikt. Gjatë përleshjes, R. Xh. plagosi lehtë E. Th. dhe L. M. me një gërshërë pune.
Si prova materiale u sekuestruan automjeti dhe mjetet prerëse, përkatësisht një bisturi-thikë dhe një gërshërë. Pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital, të dëmtuarit u larguan në banesa.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme, ndërsa Policia thekson se vijon hetimin për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.