Kampionati kombëtar i futbollit për femra ka zhvilluar të shtunën ndeshjen e prapambetur të javës së parë ndërmjet Kinostudios dhe Gramshit, takim i shtyrë për shkak se skuadra kryeqytetase pati një “eksod” lojtaresh. Plot 12 futbolliste i “lanë fotografinë” trajnerit Gëzim Gjonpalaj, duke bërë që Kinostudio të kërkojë kohë shtesë për të plotësuar ekipin.
Kështu, duke shfrytëzuar edhe prag-pauzën për Kombëtaren, Kinostudio dhe Gramshi zbritën të shtunën në fushën e Kamzës. Skuadra gramshiote e trajnerit Ergys Luga nuk e kishte aspak të vështirë për të siguruar 3 pikët, përkundrazi, e ktheu këtë takim në një festival golash, duke e tundur plot 14 herë rrjetën. Me 9 gola të shënuar që në pjesën e parë, fraksioni dytë shërbeu për t’u dhënë minutazh lojtareve të stolit.
Kolumbiania Garcia Davilla hapi goleadën dhe pas dy minutash Xhesika Ndoj dyfishoi shifrat. Më tej Fleta Musaj, Flondra Behrami dhe Anjeza Berisha, me nga një dopietë secila, i çuan vajzat gramshiote në pushimin mes dy pjesë në shifrat 0-9. Në pjesën e dytë të dyja skuadrat përdorën gjithë zëvendësimet e mundshme për ndërsa rezultati e thellua sërish, teksa Fleta Musaj dhe Anjeza Berisha plotësuan tripletat personale, ndërsa Maksuti, Allaoui, Antero Lucio dhe Ago shënuan nga një gol, duke vulosur rezultatin final 0-14 për Gramshin.
Tashmë, pas tri ndeshjeve të para skuadra e gramshiote marshon me pikë të plota, duke komanduar Superioren e femrave, por duhet theksuar se kampionet në fuqi të Vllaznisë, kanë dy ndeshje më pak. Me Lugën në pankinë vajzat e Gramshit kanë një oreks të madh edhe për gola, pasi kanë shënuar plot 36, ndërkohë që vazhdojnë që ta mbajnë portën të paprekur. Nga ana tjetër, Kinostudio zhytet në krizë, e parkuar në fundin e tabelës, me vajzat e këtij ekipi që ende nuk e kanë provuar pikën e parë në kampionat.
Screenshot 2025-10-21 164506 Screenshot 2025-10-21 164516