Me të ardhur në kolltukun e të parës së shtetit, Gordana Siljanovska Davkova ndryshoi edhe qëndrimet. Para shtatë viteve, kur ajo ishte kandidate për presidente nga opozita këmbëngulte se vendit nuk i duhet avion i ri shtetëror, ndërsa tani që është presidente thotë se vendi ka vendi për avion të ri, shkruan Portalb.mk.
Jo avionit nga opozita dhe refuzim i privilegjeve
Në shkurt të vitit 2019 Gordana Siljanovska Davkova e shpalli kandidaturën e saj për presidente, ku më pas nuk arriti të fitojë votat e popullit për të parën e shtetit.
Ndërkaq një muaj më vonë ajo doli me një reagim të ashpër ndaj qeverisë së atëhershme LSDM-BDI se vendi nuk ka nevojë të blejë avion shtetëror.
“Është planifikuar blerja e një avioni të ri dhe më të madh për nevojat e Qeverisë dhe Presidentit të Republikës. Në një kohë kur sistemi shëndetësor po përjeton kolaps, shërbimet e urgjencës mjekësore mezi funksionojnë me automjete të vjetra dhe jofunksionale. Maqedonia, një nga vendet më të varfra në Evropë, dëshiron të ketë një avion VIP që do të kushtojë 20 milionë euro (plus mirëmbajtje, pilotë, trajnime të rregullta, etj.) – dhe me këtë legjitimohet si një oligarki, ku drejtuesit abuzojnë me pushtetin dhe buxhetin shtetëror për nevoja personale”, tha Siljanovska Davkova më 5 mars 2019.
Ajo madje theksoi në demokracitë e vjetra evropiane çdo ditë shihet se si drejtuesit e shteteve (disa madje me prejardhje mbretërore) përdorin biçikleta, transport publik dhe linja të rregullta ajrore.
“Për më tepër, në Bashkimin Evropian po rritet ndërgjegjësimi për nevojën e mbrojtjes më të madhe të mjedisit, ndër të tjera edhe përmes uljes së transportit ajror për delegacionet qeveritare”, tha Silajnovska.
Ajo madje pati theksuar se nëse bëhet presidente “do t’i refuzoj privilegje të tilla derisa populli të mos ketë kushte për jetesë dinjitoze”.
Nga karrigia e pushtetit ka nevojë për avion të ri
Por me tu bërë presidente në vitin 2024,Gordana Silanovska Davkova ndryshoi qëndrimet dhe harroi kolegët nga BE-ja dhe mbrojtjen e mjedisit.
Jo më larg se dje (19 shkurt) ajo u ankua për për avionin qeveritar, që shfrytëzohet nga krerët e shtetit dhe qeveria.
“Avionin e qeverisë, kolegët e mijë nga rajoni e quajnë avioni i vëllezërve Wright, sepse është më i vogli dhe më i vjetri. Unë mund të flas për veten time. Përdorimi i avionit të qeverisë ndonjëherë mundëson kryerjen kryerjen funksionale të punës së shtetit, por edhe më të lirë sesa shfrytëzimi i linjës komerciale. E tani nuk është edhe mirë, edhe unë them se kam dilemat e mija, kur nuk kam zgjidhje tjetër, sepse e di se është i vjetër 25 vjet dhe është blerë i përdorur. Kolegët e mijë presidentë thonë se kur ju shohim juve gazetarëve, se është më racionale, më lirë të kemi avion më të madh nga avioni ynë i vogël. Sepse atëherë me një fluturim, do të udhëtojnë më tepër persona, të kthehen kur të duan dhe kam vërejtje…ja unë për shembull e di se është handikap i ynë i madh, që me ne nuk ka gazetarë. Me ta ndonjëherë vijnë edhe gazetarët”, deklaroi Siljanovska.
Ndryshe, ditëve të fundit debati për avionin shtetëror ka qenë i nxehtë midis opozitës dhe qeverisë. LSDM-ja opozitare kritikoi qeverinë e cila planifikonte të blejë avion të ri qeveritar si dhe mënyrën e përdorimit të atij aktual, ndërsa qeveria më pas vendosi të tërhiqet nga blerja e avionit të ri.