Marseille, Francë – Michel Platini ka fituar tre trofe të “Topit të Artë” në vitet 1983, 1984 dhe 1985 me fanellën e Juventusit, por as ish-kreu i UEFA-s nuk është imun nga grabitjet.
70-vjeçari është grabitur në banesë pranë Marseille në Francë dhe ne një informacion të parë nga kabineti i trofeve mungojnë 20 të tillë, si edhe medalje me vlerë të madhe sentimentale dhe monetare.
Ngjarja – Gjatë mëngjesit të 18 korrikut, një hajdut hyri me forcë në shtëpinë e Platini dhe vodhi disa trofe dhe medalje me vlerë të paçmuar ekonomike dhe sentimentale. I zgjuar nga zhurmat që vinin nga kopshti, ish-ylli i Juventusit zbriti poshtë banesës rreth orës 5:30 të mëngjesit për të kontrolluar pronën. Pasi vuri re një hajdut që po ikte, ai ngriti alarmin dhe njoftoi policinë.
Sipas një kontrolli fillestar pas vjedhjes, rreth njëzet sende u vodhën nga dhoma e trofeve që ndodhej në një aneks të shtëpisë së ish-kampionit francez, por një listë e saktë e kupave, medaljeve dhe çmimeve sportive të humbura nuk është hartuar ende.
Sipas RTL, ndërsa dëmi në shtëpi është ende duke u vlerësuar, zyra e prokurorit të Marseille ka hapur një hetim për vjedhje, pa pasur asnjë provë nga keqbërësi. Thellësisht i tronditur nga incidenti, Platini për fat të mirë shpëtoi pa lëndime.