Grafite kërcënuese janë shfaqur në veri të Mitrovicës, mbrëmjen e së martës. Grafite të shkruara me alfabetin cirilik “Me agimin e ditës, Albin Kurti do të jetë i vdekur”, u shfaqën në rrugën Vasilije Ostroskog, në veri të Mitrovicës.
Mirëpo se kush janë autorët e këtyre grafiteve, ende nuk dihet.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se nuk kanë informacione se kush qëndron pas tyre, teksa shtoi se nuk ka vend për shqetësim.
Ai bëri me dije se rasti është hapur dhe po trajtohet si kanosje.
“Nuk kemi informacione se kush. Kemi pas raste, kur ne kemi arrestuar apo ndaluar persona të moshës së mitur, duke shkruar grafite. Kemi ndaluar para disa kohës, në zonë të Leposaviqit. Ku një fëmijë 14 vjeç e kemi ndaluar duke shkruar grafite. Kjo nuk do të thotë shkruhen prej njerëzve serioz, mund të shkruhen edhe nga fëmija. Mirëpo këto kanë qenë të paraqitura në rrjetin Telegram, më datën 20 gusht së paku ka qenë hera e fundit. Por nuk ka diçka për tu shqetësuar. Ne hapim rast se kërcënimi ka qenë ndaj kryeministrit. Por nuk do të thotë që ka vend për shqetësim. Rasti është hapur si kanosje dhe si i tillë trajtohet”, ka thënë Elshani.